Kryetari i zgjedhur i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, zyrtarisht sot ka marrë detyrën e kryetarit të kësaj komune, derisa sot është betuar në asamblenë komunale, raporton Llapi.info.
Në një seancë solemne, Bulliqi është zotuar se do të punojë si kryetari i gjithë qytetarëve llapjanë, pa ndonjë dallim partie.
“Unë Shpejtim Nazmi Bulliqi betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtrojë kompetencat e mija si kryetar i komunës së Podujevës me nderë, besnikëri në mënyrë të paanshme me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin. Në mënyrë që të sigurojë kushtet për jetesë më të mirë për të gjithë”, tha gjatë betimit Bulliqi. Nuk mund të mos e ndaj me ju emocionin dhe nderin e veçantë që kam teksa u drejtohem juve. Krahas kësaj nuk më mungon as ndjenja e përgjegjësisë nga unë dhe bashkëpunëtorët e mi për qytetarët që presin nga ne dhe na votuan”, tha ai.
“Besimin që na e dhanë qytetarët ta kthejmë në punë dhe përgjegjësi. Jam jashtëzakonisht i nderuar që pas një procesi demokratik të zgjedhjeve llapjanët më besuan dhe më zgjedhën mua si kryetar të tyre”.
“Komuna e Podujevës do t’i mirëpres dhe do të punojë me të gjithë qytetarët pa dallim”, tha mes tjerash Bulliqi.
Kujtojmë se Bulliqi është zgjedhur kryetar i kësaj komune me 51.9 përqind të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 29 nëntor./Llapi.info