Nëse nuk do të ishte në fuqi një vendim i UEFA-s, Kosova do të luante në grupin A të kualifikimeve evropiane për Botërorin e futbollit “Katari 2022”. Por UEFA nuk lejon përballjet e Kosovës me Serbinë, Rusinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Kosova me short ra në grupin A, ku tashmë ishte Serbia. Dhe në bazë të vendimit, Kosova u zhvendos në grupin B, ku do të luajë me Spanjën, Suedinë, Greqinë e Gjeorgjinë. Shorti u tërhoq të hënën mbrëma.
Në grupin A me Portugalinë, Serbinë, Luksemburgun e Azerbajxhanin, është Republika e Irlandës. Republika e Irlandës kishte nderuar Kosovën që në vitin 1999 përmes futbollit. Ishte prej vendeve që përmes futbollit kishte ngritur zërin ndaj mizorive që Serbia bënte në Kosovë.
Pasi Irlanda e Serbia janë në të njëjtin grup të kualifikimeve për Botëror, mediat irlandeze kanë rikujtuar rastin e veçantë që ndodhi në vitin 1999. Në kualifikimet për Euro 2000, Republika e Irlandës ishte në të njëjtin grup me Jugosllavinë e atëhershme (e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi), Kroacinë, Maqedoninë dhe Maltën. Dhe Irlanda kishte refuzuar të japë viza për lojtarët e Jugosllavisë. Kishte pasur zhvillime të shumta pas këtij vendimi të Qeverisë së Irlandës.
Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) kishte kërkuar që Bashkimi Evropian të intervenonte pas vendimit të Dublinit zyrtar për të mos lëshuar viza për lojtarët e Jugosllavisë. Ndeshja Irlandë – Jugosllavi ishte dashur të luhej më 5 qershor të vitit 1999.
“Dublini ka refuzuar të sigurojë viza për lojtarët e Jugosllavisë për shkak të konfliktit në Kosovë, duke bërë që ndeshja të mos zhvillohet. UEFA gjithnjë ka insistuar se nuk do të shtynte ndeshjen, por në një komunikatë ka pranuar se ndeshja nuk mund të luhet për shkak të vendimit për viza. UEFA e ka forcën ta përjashtojë Republikën e Irlandës nga kampionati evropian dhe duket se fati i skuadrës tani varet nga Bashkimi Evropian”, kishte shkruar BBC-ja në një shkrim të 3 qershorit të vitit 1999.
UEFA nga Bashkimi Evropian kishte kërkuar ta sqarojë pozicionin e tij sportiv karshi Jugosllavisë së atëhershme. Prej presidencës së Bashkimit Evropian kishte kërkuar të deklarohej nëse vendimi i Qeverisë së Irlandës është i zbatueshëm në BE.
Federata e Futbollit e Irlandës ishte munduar të distancohej nga vendimi i Qeverisë për të mos dhënë viza për lojtarët e Jugosllavisë.
Por, sipas BBC-së, lojtarët e Irlandës nuk kanë dashur që ndeshja të luhej në atë qershor. Vendimi i Qeverisë ishte arsyetuar edhe me qëndrim të opinionit publik. Në një komunikatë të kryeministrit të Irlandës, Bertie Ahern, ishte thënë se vendimi u mor “për shkak të aksioneve ilegale të regjimit jugosllav ndaj njerëzve në Kosovë”.
UEFA nuk kishte përjashtuar Irlandën nga gara. E kishte gjobitur me 25 mijë funte, që kishin shkuar për Kryqin e Kuq. Dhe ndeshja ishte luajtur më vonë, në shtator të vitit 1999. Fitore 2:1 kishte shënuar Irlanda.
Irlandezët kishin përmendur faktin që lojtarët e Jugosllavisë ishin të afërt me regjimin e atëhershëm. Madje, shumë prej tyre kishte shfrytëzuar ndeshjet e futbollit për të kundërshtuar veprimet e NATO-s ndaj Jugosllavisë.
Image
Në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Irlandës, shkruan se për ndeshjen e 1 shtatorit ishte vendosur që të mos kishte pritje të zakonshme për zyrtarët e Jugosllavisë para ndeshjes. Ministrat e kabinetit vendosën ta bojkotojnë ndeshjen. Po ashtu, irlandezët kishin vendosur që të mos ketë përshëndetje zyrtare të ekipeve, të mos shfaqej flamuri jugosllav dhe të mos intonohej himni i Jugosllavisë. Trajneri i Irlandës, Mick McCarthy, kishte vlerësuar se vendimi për të luajtur ndeshjen ishte moralisht i gabuar. Federata irlandeze nuk mundësoi transmetim të ndeshjes në Jugosllavi, që do të mund të përdorej për propagandë nga regjimi i Slobodan Milosheviqit.
Jugosllavia e kishte fituar grupin kualifikues me 17 pikë. Irlanda ishte renditur e dyta me 16 e Kroacia e treta me 15 pikë. Irlandezët i kishin qëndruar pas vendimit për të mos lejuar ndeshjen në qershor dhe UEFA në një mënyrë e kishte pranuar këtë.
21 vjet më vonë, Kosova e Irlanda ishin në të njëjtin short. Dhe një vendim i UEFA-s ka bërë që ato të mos jenë në të njëjtin grup.