Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në muajin e prill të vitit të kaluar kishte propozuar që secili qytetarë të mbështetet me nga 100 euro nga Qeveria e Kosovës, që atë kohë ishte drejtuar nga Albin Kurti.

Deputeti i kësaj partie, Gazmend Abrashi, përmes një konference për media kishte deklaruar se kurrë më parë qytetarët duhet ta ndjejnë dorën e shtetit.

“Si kurrë më parë secili qytetar duhet ta ndjejë dorën e shtetit, andaj ne si AAK propozojmë që të ndahen si mbështetje për secilin qytetar nga 100 euro”, kishte thënë Abrashi.

Por ky propozim i AAK-së kishte mbetur veç në tentativë, pasi qytetarët nuk përfituan nga 100 euro, nuk i ndau as qeveria Kurti e as qeveria Hoti.

Por sot Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të publikojë programin ekonomik 2021 – 2025, në kuadër të të cilit do prezantohet projekti për Fondin e Mbijetesës Ekonomike, me vlerë mbi 1 miliardë euro, për vitin 2021, shkruan Reporteri.net.

Këtë e ka bërë të ditur kryetar i saj Ramush Haradinaj.

“Ky fond do të garantojë përkrahjen për bizneset, kthimin e punëtorëve që kanë humbur vendet e punës për shkak të gjendjes pandemike, mbështetjen për familjet në krizë ekonomike e shumë benefite të tjera. NE JEMI NDRYSHIMI I SIGURT”, ka shkruar ai ne Facebook.

Mbetet të shihet nëse do të jetësohet ky projekt i AAK-së për Fondin e Mbijetesës Ekonomike, me vlerë mbi 1 miliardë euro, për vitin 2021, apo do të mbetet veç një dëshirë e kësaj partie, sikur ndarja e 100 eurove për secilin qytetarë.