Ministri Quni thotë se FSK do të jetë nën komandën qendrore amerikane, që do ta përfshijë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Juglindore.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ka treguar se sa është e armatosur Kosova dhe Ushtria e saj.

Ai ka thënë se FSK ka arritur të realizojë buxhetin 62 milionë euro gjatë vitit të kaluar.

“Për momentin ushtarët janë të armatosur me armë sulmuese, armë individuale dhe ditët e fundit kemi arritur të sistemojmë snajperët e teknologjisë së fundit. Jemi në kontraktim edhe të armatimit të rëndë që do të pajisemi këtë vit. Jemi në bisedime për sigurime të armëve kundër fluturakeve të aviacionit ushtarak. Janë procese në fillim, vazhdim dhe në përfundim”, tha Quni.

Ai deklaroi se ushtria kushton, duke përmendur rrethojën e Aeroportit të Gjakovës.

“Vetëm rrethojën e Aeroportit të Gjakovës, që jemi duke e implementu, kushton 1 milion dollarë”, tha Quni.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni ka thënë se dërgimi i FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit është një nga momentet më historike në kohërat moderne.

“Është një ndër momentet më historike në kohërat moderne. Po besoj që në mungesë të informatave mund të ketë vlerësime dhe qëndrime të ndryshme. Falënderoj të gjithë deputetët, Komisionin Parlamentar, të gjithë akterët e kyçur për ta shtyrë këtë proces përpara”, tha Quni.

Sipas tij, është një operacion shumë kompleks, i determinuar nga shumë faktorë dhe ka filluar qysh në tetor të vitit 2019.

“Të gjitha këto përgatitje janë bërë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ushtarake amerikane. Nuk varet çdo gjë nga vullneti jonë, por edhe nga autoritetet e vendeve ku do të zbarkojnë. Do të jemi nën komandën qendrore amerikane, që do ta përfshijë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Juglindore”, tha Quni në debatin “Kallxo Pernime” transmetuar në RTV Dukagjini.

Sipas tij, edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të nxirrte vendimin për rrëzimin e Qeverisë dhe shpërndarjen e Kuvendit, ishte alternativa për të nisur misionin.