Përkundër asaj që jetojnë në qytet, banorët e lagjes “Drenica”, në Podujevë, tash e një kohë të gjatë përballen me mungesën e rrjetit të kanalizimit.

Kjo po u krijon shumë vështirësi banorëve të kësaj zone, të cilët janë detyruar që ujërat e zeza t’i derdhin në oborret e tyre, apo në një kanal të improvizuar afër hekurudhës, raporton KTV.

Si pasojë e një problemi të tillë, vështirësitë hasen edhe në amvisëri.

Për kundër që banorëve të kësaj ane, në kohë fushate iu premtua që halli i tyre do këtë zgjidhet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Sipas drejtorit të Shërbimeve Publike në Podujevë, Faik Muçiqi, ky problem pritet të zgjidhet vitin e ardhshëm, pasi ashtu e parasheh plani afat mesëm i komunës.

Por, sipas Flakron Gashit, këshilltar komunal nga radhët e PDK-së, një gjë e tillë nuk është e paraparë në buxhetin e vitit 2016.

E për Vetëvendosjen, probleme me rrjetin e kanalizimit nuk ka vetëm kjo lagje.

Sipas opozitës, ky nuk është premtimi i vetëm i parealizuar nga komuna Agim Veliut, pasi sipas tyre, një pjesë e konsiderueshme e zotimeve të tij, në fushatën elektorale, kanë mbetur vetëm në nivel premtimi./Koha.net