Reshjet e shiut, të përcjella edhe me borë, në ditët e fundit kanë shkaktuar dëme në shumë pjesë të Kosovës, përshirë edhe komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Në shumë fshatra të kësaj komune uji ka “pushtuar” oborre të shtëpive, ndërkohë që në disa prej tyre uji ka depërtuar edhe brenda shtëpive.
Por, përveç dëmeve, reshjet kanë mbushur edhe liqenin e Batllavës. Në pamjet që ka siguruar Llapi.info, shihet liqeni i mbushur me ujë nga i cili furnizohen një pjesë e madhe e banorëve kosovarë.
Ndërkohë, zëdhënësja e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku, ka deklaruar se gjatë ditës së sotme, në Batllavë nga ora 12 e natës ka ngritje të nivelit të ujit prej 1 metër.
“Çdo 30 minuta kemi ngritje të nivelit të ujit në Liqenin e Batllavës prej 20 centimetra. Ardhjet në këtë liqen janë shumë të larta, shpresojmë të kemi kaperderdhje. Ne nuk mund të përcaktojmë sa është rritur deri tash edhe sa do të rritet deri nesër”, ka thënë ajo./Llapi.info