Eksperti amerikan për Ballkanin, Alon Ben-Meir ka reaguar pas sulmeve ndaj RTV Dukagjinit.

Ben-Meir ka thënë se sulmet ndaj medias së lirë janë sulm direkt mbi demokracinë. Sipas tij, shtyp i lirë është thelbësor për një shoqëri të lirë dhe zgjedhjet demokratike janë të pamundura pa një media të lirë, shkruan Reporteri.net.

Ben-Meir po ashtu ka kërkuar që Ambasada Amerikane dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë në Kosovë të reagojnë dhe të dënojnë drejtpërdrejt ndikimin e politikës në media.

“Media në Kosovë është subjekt i presionit nga partitë politike, veçanërisht tani gjatë fushatës zgjedhore. Kohët e fundit një nga partitë më të mëdha në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), një parti politike që ishte në pushtet për gati 20 vjet, akuzoi një nga stacionet më të mëdha televizive në Kosovë, RTV Dukagjinin, për manipulim të opinionit, publikimin e sondazheve të rreme, dhe përhapjen e propagandës dhe dezinformacioneve. Sulmi ndaj kredibilitetit të shtypit është një sulm ndaj demokracisë. Një shtyp i lirë është thelbësor për një shoqëri të lirë dhe zgjedhjet demokratike janë të pamundura pa një media të lirë. Ambasada Amerikane dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë në Kosovë duhet të dënojnë ndikimin politik në media. Vetëm sistemet totalitare tentojnë të ndërhyjnë në media dhe fjalën e lirë”, shkruan ai në llogarinë e tij në Facebook.