Klubi nga Podujeva, KF Llapi ka shënuar fitore në shtëpi ndaj ekipit të Gjilanit me rezultat 3-1, raporton Llapi.info.

Nikoqirët e nisën mjaft mirë ndeshjen, teksa pas 3 minutave lojë realizuan për 1-0 me anë të Elvis Prençit.

Pas këtij goli, të dyja skuadrat patën disa raste shënimi, mirëpo që s’u konkretizuan, me ç’rast me rezultat 1-0 u mbyll pjesa e parë në “Zahir Pajaziti”.

Ashtu siç e nisi pjesën e parë, edhe në të dytën djelmoshat e Tahir Batatinës realizuan gol qysh në start. Ishte kapiteni i kësaj skuadre, Mentor Zhdrella që realizoi nga distanca për 2-0.

Mysafirët nga Gjilani arritën ta ngushtonin epërsinë në 2-1, kur po zhvillohej minuta e 52’ e takimit. Gergard Progni shënoi një super-gol nga goditja e dënimit. Krejt në fund të takimit, llapjanët shënuan për 3-1, për t’i kapur tri pikë të plota në këtë ndeshje.

Me këtë fitore, Llapi tash arrin në kuotën e 23 pikëve dhe radhitet në pozitën e shtatë, e në anën tjetër, Gjilani ka 30 sosh në pozitën e katërt.

 Në xhiron e radhës, Llapi udhëton në Mitrovicë për t’u ndeshur me Trepçën ’89, ndërkaq Gjilani pret Ballkanin./Llapi.info