Flakron Gashi, këshilltar në asamblen komunale të Podujevës nga rradhët e PDK-së, ka thënë për llapi.info se gjendja e arsimit të mesëm në Podujevë është alarmante. Ai për këtë gjë ka fajsuar zyrtarët komunal të Podujevës.
“Duke u bazuar në raportin e nxjerrë nga DKA në Podujevë, gjendja në arsimin fillor dhe të mesëm është përkeqësuar në krahasim me vitin e kaluar duke u bazuar në testin e arritshmerisë, gjegjësisht testin e maturës. Me nivelin me të dobët janë nxënësit e dy shkollave të mesme profesionale, Sh.M.T. “Fan S. Noli” ku vetëm 25.21% prej tyre kanë arritur të kalojn testin e maturës dhe Sh.M.E. “Isa Boletini” ku vetëm 40.82% prej tyre kanë arritur të kalojnë testin e maturës. Kjo tregon se 67% e maturantave të këtyre dy shkollave nuk kanë dëshmuar aftësi bazike”, ka thënë Gashi për llapi.info.
Ai ka treguar së në vitin e kaluar ka ngritur shqetësimin për këto dy shkolla, që sipas tij ka manipulime të mëdha në pranimin e mësimdhënësve me baza familjare dhe partiake.
Poashtu, Gashi ka folur edhe për rezultatet e testit të arritshmërisë në shkollat fillore.
“Është prengosëse fakti që rezultati i testit të arritshmërisë në shkollat fillore në nivel të përgjithshëm është 56.75% apo krahasuar me vitin paraprak është për 6.73% më i ulët”, ka thënë Gashi.
Sipas Gashit, absurditeti më i madh është se zyrtarët komunal arsyetohen se kjo performancë e dobët vjen si pasoj e administrimit dhe menaxhimit shumë më rigoroz të testit të arritshmërisë nga DKA. E që sipas tij, kjo i bie që po sikur vetëm edhe pak të ishte më rigoroz menaxhimi, pra pa lëshime, as gjysma e filloristëve nuk do të dëshmonin njohuritë bazike, do të ishte e tmerrshme për arsimin në Podujevë.
Se kjo rënie e rezultetit të testit të arritshmërisë ka ndodhur për shkak të menaxhimit më rigoroz të testit të arritshmërisë e pranon edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Maloku.
“Këtë vit rezultati i testit të arritshmërisë për klasët e nënta ka qenë më i ulët për shkak të administrimit dhe menaxhimit më rigoroz të testit. Nuk është lejuar kopjimi. Por, unë jam më i kënaqur me këtë rezultat sepse është më real, dhe as viteve tjera nuk do të lejohet kopjimi”, ka thënë Maloku.
Ndërsa, për administrimin e testit të maturës, Maloku ka thënë se ajo ka qenë përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit. Kurse, për rezultatin më të dobët në shkollat profesionale Maloku ka thënë se një gjë e tillë është e zakonshme.
Flakron Gashi ka vlerësuar faktin se shkolla e mesme Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani”, ka treguar rezultat të lartë prej 92.27% të kalueshmërisë në testin e maturës, por sipas tij kjo nuk mjafton për arsimin si tërësi në Komunën e Podujevës./llapi.info