Numri i grave llapjane të regjistruara për kontroll në Mamografi për 4 ditë ka arritur në 360, sa është edhe numri i përgjithshëm i grave që mund të kontrollohen brenda 24 ditëve të punës, sa është paraparë të qëndrojë Mamografi Mobil në Podujevë.

Këtë e ka bërë të ditur për Llapi.info, Afrim Shabani, ushtrues detyre i drejtorit në QKMF, Podujevë, i cili ka thënë se është një numër i madh i të interesuarave për Mamografi , ku brenda 4 ditëve është plotësuar numri i përgjithshëm i atyre që do të kontrollohen.

“Mamografi Mobil ka arritur në Podujevë më 20 korrik dhe është paraparë të qëndrojë deri me 20 gusht, por për shkak të numrit të madh të interesuarve, ne do të bëjmë përpjekje që të shtyhet qëndrimi i tij në Podujevë, në mënyrë që të gjitha gratë llapjane të interesuara të arrijnë të kontrollohen” ka thënë Shabani.

Shabani ka bërë të ditur që ekipi i Mamografisë përbëhet nga një specialist i radiologjisë, nga dy infermierë dhe dy puntorë teknikë për mirëmbajtjen e mamografit.

Kontrollat me mamograf fillojnë në ora nëntë në mengjes dhe vazhdojnë deri në përfundim të gjitha pacienteve, ku numri i paraparë për t’u kontrolluar brenda ditës arrinë në 15.

Gratë të cilat kontrollohen, rezultatin e marrin brenda ditës, ku fillimisht fotografohen dhe pastaj për rezultat konsultohen me radiologun./Llapi.info