Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan, i ka shkruar letër liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, me rastin e marrjes së pozitës së shefit të Qeverisë së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Erdogan edhe në këtë letër ka përmendur çështjen e hapjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, derisa i ka thënë Kurtit se do të ishte e dobishme që Qeveria e Kosovës ta rishikojë një vendim të tillë brenda rezolutave të Kombeve të Bashkuara.


Kjo është hera e dytë që Erdgoan brenda një kohe shumë të shkurtë ia bën një kërkesë të tillë Albin Kurtit. Fillimisht, rishikimin e vendimit për Ambasadën në Jerusalem ia kishte bërë në letrën e urimit për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Erdogan në letër shkruan se meqë ka dëgjuar që edhe Vetëvendosje ka shqetësime për hapjen e Ambasadës, atëherë mendon se do të ishte e dobishme që të shqyrtohet vendimi.

Vendosja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, ka ardhur pas njohjes reciproke me Izraelin, njohje e cila ishte derivat i marrëveshjes së Washingtonit.