Lidhja Demokratike e Kosovës duket se tani nuk është unike në qëndrimin që ka lidhur me atë se a duhet të votohet apo jo Vjosa Osmani për presidente. Për këtë arsye, kreu i këtij subjekti ka kërkuar takime me kandidaten në mënyrë që më vonë në kryesi të partisë të vendoset përfundimisht qëndrimi i tyre. Deri tani, janë disa anëtarë të LDK-së që publikisht po thonë se e përkrahin Osmanin e se njëjtë duhet të veprojë edhe partia, shkruan Gazeta Express.


Të hënën është jetësuar një pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje që Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kishin nënshkruar pak kohë para datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kurti është emëruar me 67 vota kryeministër, derisa në krye të organit më të lartë legjislativ në vend është emëruar Glauk Konjufca, që mori 69 vota të deputetëve.

Për t’u finalizuar marrëveshja për të cilën ishin zotuar Kurti e Osmani, për këtë të fundit duhet të sigurohen votat apo kuorumi në mënyrë që të ulet në karrigen më të rëndësishme të shtetit.

Si ‘shpëtim’ për këtë, Osmani është duke e kërkuar ndihmën e ish-bashkëpartiakëve të saj, e pikërisht për këtë arsye ditë më parë zhvilloi edhe një takim me kreun e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhikun.

Abdixhiku pas takimit tha se do të shihen prapë me Osmanin, duke e cilësuar takimin si pozitiv.

Atë ditë, megjithatë, LDK-ja nuk e qartësoi pozicionin që ka për këtë çështje.

“Kemi diskutuar për çështjen e presidentit, takimi ishte i frytshëm, takimi ka qenë pozitiv dhe është zhvilluar në atmosferë të mirë mes njerëzve që kanë bashkëpunuar një kohë të gjatë. Kemi diskutuar për platformën që pretendentja për presidente, Vjosa Osmani, dëshiron ta ndërtojë në rolin e saj, kemi diskutuar rreth kësaj. Nuk kemi vërejtje rreth kësaj. Po ashtu, kemi diskutuar për qëndrimin e saj karshi subjekteve politike”, tha Abdixhiku.

Tani kur LDK-ja përfundimisht nuk ka dalë ende me qëndrim për këtë çështje, e cila do të përcaktojë edhe nëse Osmani mund të bëhet presidente, ka disa anëtarë të partisë më të vjetër në Kosovë që po bëjnë thirrje që ajo të votohet.

Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, është shprehur hapur se nëse pyetet personalisht ai për një emër të përveçëm, LDK-ja duhet të ketë votë për Vjosa Osmanin për presidente.

Haziri tha se Osmani duhet të votohet, sepse ia jep shtetit presidenten dhe, sipas tij, votën ia jep një njeriu që është rritur, ndërtuar, edukuar dhe është pjekur në LDK, duke shtuar se Osmanin nuk e sheh jashtë LDK-së.

“Nëse më pyet personalisht për një emër të përveçëm, LDK-ja duhet me pasë votë, sepse ia jep së pari shtetit presidenten, nën dy ia jep një njeriu që është rritë, është ndërtu dhe politikisht është pjekë në LDK”, ka deklaruar ditë më parë Haziri.

Nënkryetari tjetër i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, thotë se pasi të qartësohet pozicioni i Osmanit në raport me çështjet që janë në interes të Republikës së Kosovës, do të marrin vendim nëse e votojnë apo jo.

“Kur të dalin këto qëndrime, do të jem më i qartë nëse LDK-ja duhet të ketë votë ose jo për Vjosa Osmanin”, tha ai, duke shtuar se ishte Osmani ajo që e ka ndarë në dysh elektoratin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Në fillim duam ta dimë qëndrimin e Osmanit për dialogun. A do ta vazhdojë ajo dialogun? Ne duam që normalisht ajo të jetë pro dialogut në mënyrë që t’i japë vendit perspektivë. Pastaj, duam t’i dimë qëndrimet e saj në raport me institucionet e pavarura. Tash duhet të zgjidhen shefi i AKI-së, ambasadorët, gjyqtarët, prokurorët…”, tha Muhaxheri.

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ndërkaq ka kërkuar nga Osmani siguri se do të luajë rol unifikues.

Derisa udhëheqësit e Lidhjes Demokratike ende nuk e kanë folur fjalën e fundit për këtë temë, anëtari i kryesisë së subjektit, Xhafer Tahiri, ka thënë se ai personalisht do të votojë pro që Osmani të mbështetet për presidente të vendit.

“Do të votoj që të qëndrojmë në sallë. Pastaj është në dorën e të tjerëve. Duhet të jemi opozitë konstruktive. LDK-ja përmes kontributit të saj në institucione do ta vazhdojë shtetndërtimin. E kemi bërë të qartë se do të jemi në opozitë dhe nuk do të jemi pjesë e asnjë marrëveshje politike me VV-në. Qëndrimi në sallë është rikonfirmim që të vazhdojmë të jemi parti kontribuese në shtetndërtim”, tha Tahiri mbrëmë në DPT te Fidani në T7.

Në të njejtën vijë me Tahirin është edhe deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Ajo ka thënë se mendon që LDK-ja duhet të qëndojë në sallë dhe ta votojë Vjosa Osmanin.

“Bashkërisht si LDK do ta marrim vendimin. Personalisht mendoj se LDK-ja duhet të qëndrojë në sallë dhe të votojë zonjën Osmani, pasi qytetarët treguan se e duan zonjën Osmani për presidente duke e votuar me aq shumë vota”, ka thënë ajo.

Deputetja e LDK-së thotë se deputetët kanë të drejtë të vendosin për votën e vet.

“Tani për tani nuk kemi vendim të prerë si do të sillen deputetët e LDK-së, kur të vijë momenti i votimit të presidentes. Unë personalisht dua të rri në sallë dhe të votoj pro zonjës Osmani”, ka shtuar ajo.

Anëtarët tjerë të LDK-së nuk kanë komentuar publikisht nëse do të votojnë pro apo kundër që Osmani të mbështetet, derisa në opinion janë duke u diskutuar disa emra të mundshëm nga ky subjekt që nuk do ta përkrahin partinë, nëse vendos që ta mbështesë kandidaten për presidente.

Në ditët në vazhdim pritet që të mbahet edhe një takim Osmani – Abdixhiku, derisa pas këtij takimi, kreu i LDK-së do t’i mbledhë strukturat e partisë.

Vjosa Osmani e ka ushtruar detyrën e presidentit të Kosovës për disa muaj pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.

Në marrëveshjen LVV-Lista “GUXO”, Osmani ishte bërë e ditur se do të marrë pozitën e presidentit të Kosovës.

Osmani, që ka dalë më e votuara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, si kundërkandidat për pozitën e presidentit e kishte Ramush Haradinajn. Megjithatë, duket se i njëjti është tërhequr nga kjo garë.

Ajo mund të emërohet presidente vetëm nëse i siguron 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

“Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës”,, saktëson Kushtetuta e Kosovës.

Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se asnjëri kandidat nuk i arrin votat e nevojshme, derisa zgjedhjet, sipas Kushtetutës, në raste të tilla duhet të mbahen brenda 45 ditësh.