Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu iu është kundërpërgjigjur akuzave të bashkëpartiakut të tij, Gazmend Muhaxheri.

Ky i fundit e ka quajtur Veliun “vetjak” dhe si person me energji negative.

Nga ana tjetër, Veliu thotë se nuk i bëjnë përshtypje deklaratat e Muhaxherit, kjo pasi që ai ndryshon si “era”.

“Personalisht duke e njohur karakterin e Muhaxherit nuk më bën përshtypje ajo çka thotë, sepse ai është i njohur për mosqëndrueshmëri në mendime e qëndrime. Ai vazhdimisht ka ndryshu si era”, ka thënë Veliu për IndeksOnlinen.

Veliu thotë se ndien keqardhje se në çfarë, siç ka thënë ai “derexheje” ka rënë LDK-ja, duke përmendur emrin e Muhaxherit.

“Më vjen keq për partinë time së cilës i kam shërbye 31 vjet në çfarë derexheje ka ra me përfaqësues si çifti i Muhaxherit! Nga Gazi, LDK-ja dhe unë kemi marrë goditje edhe në të kaluaren sa ai ishte me partinë Ora”, ka theksuar ai për IndeksOnline.

Ish-ministri përmend faktin se si dega e LDK-së në Podujevë ka sjell vetëm fitore gjatë gjithë kohës.

“Agim Veliu dhe dega e Podujevës asnjëherë nuk ka sjell negativitet për LDK-në, kundrazi ka sjell vetëm fitore dhe ka qene dega me e fuqishme gjate gjithe kohës e edhe në këtë procesin e fundit që e ka dyfishin e përqindjes së LDK-së. Edhe kur kam hangër plumba e kam dashtë LDK-në dhe do ta dua gjithë jetën edhe pse kjo si duket i paska pengue dikujt!”, tha ai.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Muhaxheri shprehet publikisht kundër Veliut.

VIDEO