Poetët asnjëherë nuk janë të kënaqur me botën në të cilën jetojnë. Kanë një botë të tyre, të cilën e shprehin përmes vargjeve.

Kjo ka qenë kryefjala e debatit me temën “Poezia në ekzil”, që është zhvilluar në kuadër të ditës së dytë të Festivalit të Letërsisë në Orllan FLO. Poeti shkodran, Primo Shllaku, ka thënë se pa marrë parasysh se ku jetojnë, poetët gjithmonë janë në mërgim.

“Poetët janë përjetësisht të mërguar, sepse janë në kundërshtim me kohën në të cilën jetojnë edhe kur janë në vendin e vet”, ka thënë Shllaku të enjten në edicionin e pestë të FLO-së. Ka thënë se njerëzit i kanë shpikur kufijtë duke e bërë tokën kombëtar e jo universale. Sipas tij ka shembuj të ndryshëm sa u përket poetëve që shkruajnë në ekzil.

“Ovidi është njëri nga poetët më të mëdhenj të antikitetit. Ai ishte futur në konflikt me Octavian Augustus dhe ishte internuar. Por ai shkroi edhe i internuar”, ka kujtuar Shllaku që për disa vjet ishte emigrant në Greqi.

Poeti Skënder Sherifi, i cili jeton në Belgjikë, ka thënë se ka plot poetë të mëdhenj që kanë jetuar jashtë vendlindjes dhe janë autorë të veprave të mëdha. Sipas tij krejtësisht varet se si poeti e percepton të qenit jashtë vendlindjes.

“Mund të qash gjithë ditën, por edhe mund të mbash një ekuilibër midis dy popujve, atij të vendlindjes dhe atij ku jeton”, ka thënë Sherifi. Sipas tij shpeshherë në emigracion problemi është tek pozicionimi.
“Ose e ke shpirtin e origjinës dhe të vendit ku jeton, ose të vendit të origjinës apo atij ku jeton”, ka thënë Sherifi. Për të zgjedhja duhet t’i imponohet vetvetiu personit. Në këtë rast ai ka ndarë një eksperiencë personale.

“Në logjikën e babait tim brenda shtëpisë ishim në odat shqiptare dhe me zakonet shqiptare megjithëse jetonim në Belgjikë. Por jashtë shtëpisë propozohej një model tjetër”, ka thënë Sherifi. Ka treguar se për 40 vjet ka kaluar nga një zakon tek tjetri.

“Pastaj e kam bërë koktejin ‘Skënder Sherifi’ si një konglomerat me disa kultura”, ka thënë ai. Por për dallim nga dy shqiptarët, shkrimtari i ri Jazra Khaleed i lindur në Çeçeni dhe që jeton në Athinë të Greqisë, ka ofruar një model tjetër.
“Nuk kam atdhe të caktuar”, ka thënë ai. Krejt në fund të këtij debati, Primo Shllaku ka marrë shembull poetin shqiptar Martin Camaj. Sipas tij mërgimi kishte ndikuar në të mirë të krijimtarisë së Camajt.

“Mendimi im personal që nuk do të thotë se është përfundim, është se mërgimi e ka bërë poet të madh Camajn”, ka thënë Shllaku. Sipas tij poetët mërgimtarë mund të qajnë gjithë ditën për vendin e vet të lindjes. Por sipas tij tashmë kanë ndryshuar rrethanat e të qenit afër vendlindjes për ata që jetojnë jashtë saj.

“Mund të marrësh një biletë dhe e viziton vendlindjen”, ka thënë ai.
Në ditën e dytë të festivalit që mbahet buzë liqenit të Batllavës të pranishmit që ishin në numër të paktë kanë pasur rastin të takohen dhe të dëgjojnë eksperiencat e autorëve Skënder Sherifi dhe Jazra Khaleed.

Megjithëse sipas organizatorëve pjesëmarrjen e kishte konfirmuar edhe poeti shqiptar që jeton në Meksikë, Xhevdet Bajraj, ai nuk ishte i pranishëm. Sherifi ka thënë se babai i tij ishte arratisur nga Shqipëria komuniste pasi kishte vuajtur dënimin me burg si ish-oficer i Mbretit Zog. Ka treguar se nga Jugosllavia e asaj kohe familja e tij kishte mërguar për në Belgjikë kur ai ishte vetëm një vjeç. Sipas tij i ati kishte dëshirë që ta edukonte me zakonet shqiptare.

“Më ka dërguar në Kosovë në vitin 1976, ku kam jetuar në banesën e Rexhep Ferrit”, ka treguar ai. Sipas Sherifit, ata që e kanë takuar në atë kohë në Kosovë nuk e kishin të lehtë ta kuptonin stilin e tij të veshjes dhe të dukjes. Por ndryshe kishte ngjarë asokohe me punonjësin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, Ibrahim Rugovën.
“Më ka thënë se do t’i botonte veprat e mia megjithëse ishte e vështirë që ato të kuptohen në Kosovën e asaj kohe”, ka thënë Sherifi, në ditën e dytë dhe të fundit të FLO-s. Edicioni i sivjetmë i këtij festivali ishte paraparë të zgjaste më shumë.

Ragip Luta, që tash e pesë vjet është njëri nga organizatorët e FLO-s, ka thënë se kushtet financiare kanë bërë që këtë vit festivali të jetë vetëm dyditor.

“Kemi pasur në plan që në edicionin e pestë festivali të zgjasë pesë ditë”, ka thënë Luta. Sipas tij Ministria e Kulturës duhet të bëjë kritere për shpërndarjen e subvencioneve. Ka thënë se festivali ndihmon që autorët të kenë kontakte të afërta dhe të ketë shkëmbime kulturore midis letrarëve dhe muzikantëve nga Kosova në raport me shtetet tjera.

“Ne synojmë që në të ardhmen festivali të zgjasë më shumë ditë e krahas leximeve të ketë edhe më shumë aktivitete muzikore dhe një kamping për mysafirët”, ka thënë ai, tek ka shtuar se synim kanë edhe një kinema në Orllan. Çmimi i festivalit këtë vit i është ndarë gazetares dhe publicistes Sanije Gashi, në natën e parë, ku pos leximeve të autorëve, mysafirët e festivalit janë argëtuar me koncertin e muzikantët John Drain nga Britania e Madhe dhe Marco Farris nga Italia./Koha.net