Dy meshkuj janë arrestuar të dielën në Vushtrri, pasi që gjatë rrahjes mes vete, njëri nga ta ka goditur me mjet të mprehtë një person të tretë i cili kishte tentuar që t’i ndajë.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, shkruan Reporteri.net.

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që janë rrahur në mes vete dhe deri sa viktima mashkull kosovar kishte ndërhyrë që t’i ndaj, njëri prej të dyshuarve e kishte goditur në dorë me mjet të mprehtë duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar ndihmën mjekësore dhe pastaj është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor.”, thuhet në raportin 24 orësh.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.