Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka kritikuar Kryeministrin Albin Kurti për zhvendosjen e tij në një shtëpi prej 500 metrave katror në Tasligje.

Molliqaj ka ngritur pyetjet se si i mbulon shpenzimet Kurti? Pse nuk po publikohet kontrata?

I pari i PSD-së thotë se Kurti thoshte se në politikë duhet të varfërohemi e jo të pasurohemi.

Postimi i tij i plotë:

”NË POLITIKË DUHET TË VARFËROHEMI, E JO TË PASUROHEMI” – Kurti
Pak vite më vonë, Kurti posedon banesë në vlerë 400,000€ në Norvegji, ndërsa zhvendoset në shtëpi 500m² në Tasligje.
Në shtëpinë që shihni në foto banon Albin Kurti. Për dikë kjo mund të dukej e pabesueshme para pak ditësh, por mendësia e tij çon pashmangshëm këtu.
Mbase militantët e VV-së tash mund të argumentojnë se Kurti nuk e ka blerë këtë shtëpi por jeton aty me qera. Dhe kjo mund të jetë e vërtetë, por megjithatë ndërrimi i vendbanimit nga 60m² në rreth 500m² në një nga lagjet më shtrenjta të Prishtinës, ngritë të disa pyetje.
Nëse paguan qera, si mbulohen shpenzimet? Qeraja mujore për një shtëpi të tillë kushton sa paga mujore e kryeministrit. Pse nuk po publikohet kontrata?
Kurti thoshte se në politikë duhet të varfërohemi, e jo të pasurohemi. Çka po ndodh tash? Pse pas 1 jave në qeveri, Kurti ka nevojë të jetojë në shtëpi 500m², kur dihet që ai jeton krejtësisht i vetëm pasi që familja i jeton në Norvegji?