Ambasadori i Britanisë në Kosovës, Nicholas Abbott, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përkrah Kosovës për t’u bërë shtet funksional e stabil dhe me raporte të normalizuara me Serbinë.

Abbott këtë e ka thënë gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Ambasadori Abbott uroi kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë britanike për të ndihmuar Kosovën sidomos në fushën e sundimit të rendit e ligjit dhe të sigurisë. Z. Abbott tha se në planin afatgjatë Mbretëria e Bashkuar, në kuadër të rolit në QUINT, do të vazhdojë të përkrahë Kosovën për t’u bërë shtet funksional e stabil dhe me raporte të normalizuara me Serbinë. Kryeministri Kurti dhe ambasadori Abbott biseduan edhe për gjendjen me pandeminë, arritjen e vaksinave dhe domosdoshmërinë e respektimit të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Duke e falënderuar ambasadorin Abbott për ndihmën dhe përkrahjen që shteti britanik ia ka dhënë Kosovës, kryeministri Kurti tha se ai është i përkushtuar që Qeveria që udhëheq të thellojë edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar duke i ofruar kështu një partner serioz. Kryeministri Kurti dhe ambasadori Abbott u pajtuan se investimet e përbashkëta të diasporës kosovare me investitorë seriozë britanikë, do t’i kontribuonin zhvillimit ekonomik të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.