Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka një shtëpi që kushton sa gjithë shtëpitë e banesat e liderëve kryesor në vend. Ajo kushton miliona euro, raporton Express.

Bazuar në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, vlera e shtëpisë së Pacollit sillet rreth 18 milionë euro.


Kjo shtëpi ka sipërfaqe 5 mijë e 200 metra katrorë.

Ndryshe, Pacolli vlerësohet të jetë njeriu më i pasur në vend. Shtëpitë, tokat milionëshe, avioni privat, veturat, aksionet në shumë kompani e miliona euro para të gatshme nëpër institucione financiare, i mundësojnë atij që të jetë i pari në listën e zyrtarëve milionerë të vendit.

Bazuar në deklarimin e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ai ka pasuri në vlerë rreth 700 milionë euro.

Vetëm një tokë që Pacolli e ka kushton mbi 7 milionë euro.

Ai ka në pronësi edhe hotelin Sëiss Diamond, vlera e të cilit llogaritet të jetë 42 milionë euro. Në total, vlera e pasurive të paluajtshme që posedon ai shkon në rreth 200 milionë euro.

Përveç veturave të shumta që zotëron, Pacolli ka edhe avion privat, vlera e të cilit llogaritet të jetë rreth 10 milionë euro.

Pasuria e ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës nuk mbaron këtu. Ai ka aksione në vlerë rreth 500 milionë euro në rreth 20 kompani, në disa prej të cilave ka aksione 100%.

Pacolli ka edhe miliona euro të kursyera në banka në Prishtinë. Vetëm në një prej këtyre bankave ai ka të kursyera mbi 4 milionë euro.

Të hyrat e tij vjetore sillen rreth pesë milionë euro. Këto para ai i merr nga Banka Ekonomike, Mabetex Holding, depozitat në bankë dhe Kuvendi i Kosovës./Gazeta Express