Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka folur pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se u tentua të kontrabandohet Ligji për Zgjedhjet.

“Ky ligj i cili fatkeqësisht u tentua të kontrabandohet, u bë shumë mirë që nuk kaloi. AAK kërkon që për tema që lidhen drejtpërdrejt me reformën zgjedhore dhe prekin partitë politike të ketë një konsultim paraprak dhe si e tillë e kundërshtojmë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka folur edhe rreth zgjedhjes se presidentit të vendit.“Sa i përket qëndrimeve tona për zgjedhjen e presidentit ne i kemi pasur të qarta, nuk kanë ndryshuar mirëpo jemi zënë të habitur sepse në mëngjes vetë kryeministri Kurti tha që prioritet i tij është zgjidhja e presidentit dhe ndodhi se pas disa ore të sjellë një ligj në procedurë të përshpejtuar për miratim në Kuvend, kjo shpërfaqë një arrogancë të numrave e cila nuk duhet të miratohet“, ka thënë Tahiri.

Rreth zgjedhjes së presidentit, Tahiri ka thënë se “ne kemi kandidatin tonë Ramush Haradinaj për president, nuk votojmë, nuk marrim pjesë sa i përket zgjedhjes për presidentit të ndonjë kandidati tjetër”.Projektligji për Zgjedhjet nuk ka arritur të shqyrtohet fare, pasi ai nuk ka marrë votat e nevojshme prej 2/3 për t’u futur në trajtim në Kuvendin e Kosovës, duke shmangur procedurat e rregullta plenare, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga pozita.