Një minibus i vendosur në sheshin e qytetit në Podujevë ka zgjuar kureshtjen e qytetarëve të shumtë.
Në hapsirë të këtij minibusi ofrohen shërbime juridike pa pagesë nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, ku të hënën është hapur Klinika Mobile për qytetarët e komunës së Podujevës, e cila financohet nga Ambasada e Mbretrore e Holandës.

Etrit Ademaj, Zyrtar për Ndihmë Juridike Falas, për Llapi.info ka thënë se klinika mobile ka për qëllim vetëdijsimin e qytetarëve që të kenë qasje të efektshme në drejtësi, përmes ofrimit të shërbimeve profesionale juridike pa pagesë.

Ademaj ka shtuar se ka interesim nga qytetarët, por beson se pasi të shpërndahen njoftimet dhe fletushkat nëpër institucione të komunës, gjykatës si dhe institucione tjera, qytetarët do të jenë më të informuar dhe në këtë mënyrë do të shtohet numri i të interesuarve.

“Shërbimet tona juridike janë për të gjithë qytetarët e Komunës së Podujevës të cilët janë në gjendje të rëndë ekonomike. Ne kemi filluar nga 13 korriku dhe do të vazhdojmë deri me 31 gusht, ku do të punojmë çdo ditë pune nga ora 09:00 deri në orën 15:00.” ka thënë Ademaj.

Ademaj më tej ka treguar se llojet e ndihmave juridike që ofrohen falas janë: “Informata dhe këshilla juridike lidhur me procedurat ligjore, përpilimin e shkresave dhe tërë asistencës tjetër teknike, që ka të bëjë me kompletimin e lëndës si dhe përfaqësimin në procedurën civile, penale, administrative dhe kundërvajtëse“./Llapi.info