Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi-Sadiku ka folur rreth prezencës së LDK-së në seancën parlamentare ku po votohej për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo tha se LDK nuk i ndihmoi Vetëvendosjes por i ndihmoi institucioneve, pasi që nëse LDK nuk do merrte pjesë në seancë vendi do shkonte në zgjedhje.

“Ne nuk i ndihmuam Vetëvendosjes, i ndihmuam institucioneve. Nese LDK nuk merrte pjesë në seancë, vendi do shkonte në zgjedhje. Mundësitë tona ishin te kufizuara, ne nuk ishim partia fituese. Kandidati për president u propozua nga partia fituese. Ajo cfare kemi bërë, është e mirë për shtetin e Kosovës, është me i evitu zgjedhjet. Nuk kemi qenë pro zhvillimit të marrëdhënieve të ngushta me VV, por i ndihmuam. Ne nuk i kemi pasur mundësitë të prezantojmë kandidatin tjetër”.

Mjekiqi-Sadiku u shpreh se Osmani si presidente e vendit duhet të ketë rol unifikues.

“Unë mendoj që Osmani duhet të ruaj rolin unifikues brenda partive. Takimet mes Osmanit dhe neve kanë qenë që Osmani të na sigurojë që do ruaj rol unifikues dhe ne të marrim pjesë në procesin e votimit, dhe të evitojmë zgjedhjet. Qëndrimi jonë ka qenë që të jemi kundër zgjedhjeve në këtë kohë. Zgjedhjet e përcaktuan fituesin.

Pasojat gjatë mobilizimit të fushatave po i vuajmë sot. U rrit numri i të infektuarve. Mendimi jonë ishte që të dalim me një qëndrim në të mirë të gjithëmbarshme, po shpresoj edhe në të mirë të LDK-së. Nuk kemi nevojë për zgjedhje”.

Nënkryetarja e LDK-së foli edhe rreth mosprezencës në sallë të Hotit, Veliut dhe Selmanajt teksa votohej presidentja.

Sipas saj, deputetët mund të votojnë sipas bindjes së vet.

“Deputeti herë pas here mund të votoj sipas bindjes së vet. Këta tre deputetë që nuk morën pjesë në votim, arsyetimi i tyre ka qenë që po i përfaqësojnë interesat e elektoratit të tyre”.