Kandidatët doktorantë kanë protestuar sot para Rektoratit të Universiteit të Prishtinës.
Defrim Morina përfaqësues i doktorantëve ka thënë se pas vendimit të Agjencisë Kundër Korrupsion dhe Avokatit të Popullit pika e parë e vendimit të Senatit i cili e trajton çështjen e konfliktit të interesit të një prej arsyeve të pezullimit të konkursit bie poshtë, pasi sipas tij, qartë theksohet se nuk ka konflikt faktik të interesit.
Ai tutje ka shtuar se tri arsyetimet tjera nga ana e vendimit të senatit për çështjen e interpretimit të gjuhëve, mungesës së dokumentacionit dhe shfrytëzimit të ankesave, janë shkelje të ashtuquajtura procedurale që janë bërë pas periudhës së testimit.
Sipas tij, ritestimi si një prej opsioneve nuk do të zgjidhë çështjet tjera.
“Para dy ditësh kanë pasur një takim me prorektorin për shkencë ku ja kemi qartësuar por ai nuk ka arritur të argumentojë që ky ritestim ka me zgjidh tri arsyet e dhëna në vendimin e senatit. Ankesat duhet të shqyrtohen një nga një dhe nëse kanë të drejtë të përfshihen në listën përfundimtare por jo të mbahet peng procesi për raste individuale. Ne kemi theksuar që është shkelje e ligjit nëse vendimet administrative i prekin interesat e individit, atëherë kjo nuk mund të prek interesat e të tjerëve”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nëse merret vendim për ritestim ata do ta bojkotojnë këtë proces.