Partia Demokratike e Kosovës po kërkon nga Qeveria që të zbatojë Ligjin për Rimëkëmbjen i aprovuar në dhjetor të vitit të kaluar.
Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se 200 milionët e ndara sipas këtij ligji për sektorin privat, duhet të fillojnë të shpërndahen ashtu si 30 milionët për të punësuarit të cilët kanë humbur vendet e punës gjatë pandemisë.
Hamza në konferencë për media tha se qeveria nuk ka dhënë sinjale të seriozitetit për të vepruar në situatën me COVID-19.
“Edhe qeveria aktuale nuk është duke dhënë sinjale që ka seriozitet dhe ka qasje si të veproj ën këtë situatë. E dimë që ligji për rimëkëmbje është aprovuar në Kuvend në dhjetor të viti kaluar, qe 4 muaj janë bërë dhe ka qenë insistimi ynë që 200 milionë euro janë të ndara për përkrahje të sektorit privat. 30 milionë janë të ndara me atë ligj për të gjithë të punësuarit që kanë humbur vendet e punës. Qeveria duhet ta zbatoj ligjin. Bizneset nuk e kanë përfituar këtë përkrahje. Kërkesa jonë konsiston në atë që të zbatohet ligji, që këto 200 milionë të aprovuara me ligj të fillojnë tu shpërndahen bizneseve”, ka thënë ai.
Masat e reja të cilët u futën në fuqi këtë javë e që rikthyen orën policore nëpër qytete, sipas Hamzës do të duhej të paralajmëroheshin më herët, sidomos për bizneset të cilat janë detyruar të mbyllin shërbimet.
“Duhet të ketë masa të qarta, të sakta dhe të zbatohet ligji. Dëgjoj se do merren vendime dhe do kompensohen pagat e punëtoreve dhe qiratë. Por përtej tyre, ka humbje të tjera. Ka biznese në gastronomi që nuk paguajnë qira por kanë obligime të tjera”, tha ai.
Hamza shtoi tutje se kërkojnë nga qeveria program të veçantë për rimëkëmbjen ekonomike.
I pyetur lidhur me rikthimin e reciprocitetit me Serbinë, Hamza tha se kjo çështje duhet të mendohet mirë nga qeveria dhe se vendimi për të i takon vetëm qeverisë.
“E para e kanë heqë taksën, qeveria e kaluar (Kurti) e ka hekë taksën dhe pastaj kur e ka vendosë reciprocitetin në kohën kur e ka ditë që ka pasur edhe pak ditë sa ka qenë në detyrë, por nuk janë çështje që duhet të ketë kalkulime afatshkurta, është temë serioze dhe duhet të jenë mirë të menduara dhe të qëndrueshme”, tha Hamza.
“Është çështje e qeverisë, në kompetencë të qeverisë”.