Reforma zgjedhore në Kosovë është më së e nevojshme, por që për këtë ndryshim ka munguar vullneti politik, kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes “FOL”, Mexhide Demolli-Nimani.

“Po flas si Demokraci në Veprim, me vite të tëra ne kemi kërkuar një reformë zgjedhore, mirëpo fatkeqësisht ka munguar vullneti politik i partive viteve të kaluara kështu që po është më së e nevojshme që të fillohet një reformë përmbajtjesore e sistemit zgjedhor në Kosovë” është shprehur ajo.

Sipas Demolli-Nimanit në procesin e reformës zgjedhore duhet të përfshihen të gjithë akterët relevant, në mënyrë që ajo të rezultojë përmbajtjesore.

“Një reformë zgjedhore përmbajtjesore nuk mund të bëhet me vetëm një parti politike që e kemi në këtë rast në pushtet. Kemi kërkuar edhe në natën e tentim ndryshimit në Ligjin për Zgjedhje që kjo gjë të ndalohet dhe duhet të ketë një përfshirje më të madhe të të gjithë akterëve, qoftë të partive politike por edhe të shoqërisë civile dhe të gjithë akterëve  të cilët e kanë përcjellë në vazhdimësi procesin zgjedhor në Kosovë. Nuk mund të bëhet një reformë e mirëfilltë dhe përmbajtjesore e zgjedhjeve pa pasur një përfshirje, të të gjithë akterëve relevant” ka shtuar ajo.

Demolli- Nimani ka treguar edhe disa rekomandime që duhet të merren për bazë si reformim i zgjedhjeve, ku mes tjerash ka përmendur mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

“Ne i kemi publikuar tri raporte që kanë dal nga monitorimi i zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe padyshim që kemi edhe rekomandime konkrete sepse e kemi përsëritë në vazhdimësi monitorimin e zgjedhjeve dhe vërtetë kemi parë që ka nevojë për shumë ndryshime në sistemin zgjedhor”.

“Kemi kërkuar dhe duhet të konsiderohet votimi preferencial deri në 5 kandidatë, kemi konsideruar se duhet të reduktohet, pragu zgjedhor përkatësisht aplikimi i tij për subjektet e ndryshme politike si partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e pavarur duhet të rikategorizohet, mënyra e zgjedhjes së presidentit duhet të rishqyrtohet. Gjithashtu duhet të konsiderohet edhe ndarja në zonat zgjedhore. Kemi paraparë edhe ndryshime tjera qoftë në procesin e administrimit të zgjedhjeve dhe shumë të tjera në të gjitha fushat”, ka përfunduar Demolli-Nimani për EO.