Rreth 20 mijë kosovarë raportohet se kanë kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri gjatë të premtes dhe të shtunës. Arsye për këtë duket se janë edhe masat anti-Covid që i ka miratuar Qeveria e Kosovës, si pasojë e të cilave janë mbyllur lokalet e gastronomisë dhe është ndaluar lëvizja e qytetarëve pas orës 22:00. Por, a duhet të izolohen kosovarët që do të kthehen nga Shqipëria?

Qeveria e Kosovës më 5 prill ka vendosur masat e reja anti-Covid, në mesin e të cilave është edhe pika e cila përcakton se qytetarët që hyjnë në Kosovë nga vendet me risk të lartë të virusit, duhet të kenë testin RT-PCR negativ.

Por, kjo vlen vetëm në bazë të parimit të reciprocitetit, pra për shtetet të cilat ju kërkojnë qytetarëve të Kosovës test RT-PCR negativ për COVID-19.

“Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Qytetarët të cilët vijnë në Kosovë nga vendet me risk të lartë duhet ta paraqesin vërtetimin për test negativ, në të kundërtën duhet të vetizolohen për 7 ditë.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetizolohen për 7 ditë”, thuhet në vendim.

Por, përjashtim nga kjo pikë bëjnë qytetarët e Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.

Bazuar në vendimin e Qeverisë, qytetarët të cilat shkuan në Shqipëri për fundjavë, nuk do të kenë nevojë për test kur të kthehen këtu.

Ndryshe, është raportuar se vetëm gjatë të premtes, nga Kosova në Shqipëri kanë shkuar mbi 13 mijë kosovarë