Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka regjistruar sot edhe 529 raste të reja me virusin korona, pas testimit të 4.413 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë, raporton Llapi.info.
Siç ka njoftuar ky Institut, brenda 24 orëve janë raportuar 12 raste të vdekjes me COVID-19, duke çuar në total numrin e tyre në 1.988.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 3 raste (85, 62, 57 vjeç), Vushtrri 3 raste (79, 71, 68 vjeç), Drenas 1 rast (66 vjeç), Ferizaj 1 rast (63 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (73 vjeç), Kamenicë 1 rast (81 vjeç), Lipjan 1 rast (68 vjeç), Rahovec 1 rast (61 vjeç)”, thuhet në njoftim.
IKSHPK ka bërë të ditur edhe për 31 raste pozitive në Podujevë. Prej tyre, 14 janë në qytet, 2 raste në fshatrat; Balloc, Gllamnik, Konushec dhe Orllan dhe me nga një rast në fshatrat; Bradash, Dobërdol, Dumnicë e Epërme, Kërpimel, Llugë, Lupç i Poshtëm, Pakashticë e Epërme, Peran dhe Siboc i Epërm.
Kosova ka konfirmuar rastet e para pozitive më 13 mars të vitit të kaluar dhe, që atëherë, ka regjistruar gjithsej 97.996 të tilla. Prej tyre, 1,988 pacientë kanë vdekur dhe 82.064 janë shëruar. Aktualisht janë edhe 13.944 raste aktive./Llapi.info