Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, thotë se masat e reja kundër përhapjes së koronavirusit nuk kanë shkaktuar fluksin e kosovarëve për ta kaluar fundjavën në Shqipëri. Sipas tij këtë fundjavë në drejtim të Shqipërisë kanë shkuar rreth 29 mijë qytetarë, ndërsa në prill të vitit 2019, kur nuk kishte pandemi, shtetin shqiptar e kishin vizituar rreth 30 mijë qytetarë.
Prandaj, ai thotë se masat janë vendosur për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, megjithatë ato mund të arrijnë efektin vetëm nëse të gjithë së bashku tregojmë ndjeshmëri për ruajtjen e shëndetit.
“Sipas të dhënave zyrtare në dy ditët e fundit, të premten dhe të shtunën janë regjistruar rreth 29 mijë persona që kanë dalë jashtë vendit në drejtim të Shqipërisë. Sa për krahasim, në vitin 2019, atëherë kur nuk kishte fare pandemi, në një fundjavë të krahasueshme, sikurse ajo e 27 dhe 28 prillit, që për shkak të Pashkëve ortodokse ishte fundjavë e zgjatur dhe me mot të ngrohtë sikurse kësaj fundjave, rreth 30 mijë persona ishin regjistruar të kenë dalë jashtë vendit në drejtim të Shqipërisë”, shkruan ai, transmeton Gazeta Express.
Postimi i tij i plotë:
Për një kohë të gjatë Kosova ka qenë vendi i vetëm me masa tejet të liruara dhe në disproporcion me përkeqësimin e situatës epidemiologjike. Në situata të rënduara, masat kufizuese janë dëshmuar të jenë të pa zëvendësueshme.
Bizneset e prekura nga këto masa nuk janë të mbyllura plotësisht, sepse synimi është qē ekonomia të arrijë të mirëmbahet teksa shëndeti publik të përmirësohet. Ndonëse me aktivitet më të ulët ekonomik, ato vazhdojnë të punojnë përmes shërbimeve “Merr me Vete” dhe “Dërgesë me Porosi”. Por meqë këto forma mund të jenë të pamjaftueshme, për biznese është paralajmëruar ndihmë financiare përmes mbështetjes në paga të punëtorëve dhe të shpenzimeve të qirasë.
Ndërkohë, kufijtë tokësorë me shtetet fqinje janë të hapur. Qytetarët kanë të drejtë të udhëtojnë sipas nevojave të tyre, duke marrë parasysh respektimin e masave në vendin mikpritës, dhe të atyre në Kosovë me rastin e kthimit. Fluksi i madh në pikat kufitare, me theks në drejtim të Shqipërisë, i regjistruar këtë fundjavë edhe mund të jetë ndikuar nga masat e fillimit të javës së kaluar, por nuk është shkaktuar i gjithi nga to.
Sipas të dhënave zyrtare në dy ditët e fundit, të premten dhe të shtunën janë regjistruar rreth 29 mijë persona që kanë dalë jashtë vendit në drejtim të Shqipërisë. Sa për krahasim, në vitin 2019, atëherë kur nuk kishte fare pandemi, në një fundjavë të krahasueshme, sikurse ajo e 27 dhe 28 prillit, që për shkak të Pashkëve ortodokse ishte fundjavë e zgjatur dhe me mot të ngrohtë sikurse kësaj fundjave, rreth 30 mijë persona ishin regjistruar të kenë dalë jashtë vendit në drejtim të Shqipërisë. Pra, dallimi është shumë i vogël dhe nuk paraqet trend tjetër. Kjo dëshmon që fluksi i kësaj fundjave, sado që mund të jetë ndikuar, nuk është shkaktuar nga masat kundër COVID-19, të vendosura nga 7 prilli, e as nuk shpjegohet plotësisht përmes tyre.
Masat janë vendosur për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, megjithatë ato mund të arrijnë efektin vetëm nëse të gjithë së bashku tregojmë ndjeshmëri për ruajtjen e shëndetit tonë dhe të tjetrit. Krahas vaksinimit, nuk duhet të ndalen asnjëherë përpjekjet e përbashkëta për zbatimin e masave mbrojtëse, si nga qytetarët ashtu edhe nga institucionet e bizneset, në mënyrë që ta fitojmë sa më shpejtë betejën në luftën globale kundër pandemisë.