Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, ka thënë se paralajmërimi i Kosovës për kthimin e masave të reciprocitetit është gjuhë e ultimatumeve dhe shantazheve, për çka ka thënë se janë më të rrezikshme se kërcënimet.

Gjuriq për “Politika” u shpreh se shteti serb dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, “të cilët janë të vendosur për dialog konstruktiv, sigurisht që nuk do të lejojnë që Kurti apo udhëheqës tjetër shqiptarë të fusë gjuhën e kërcënimeve dhe shantazheve”.

Deklarata e tij vjen pak pasi Qeveria Kurti paralajmëroi rikthimin e masës së reciprocitetit.

Një vit më parë, Albin Kurti ishte kryeministër kur Qeveria e tij e hoqi tarifën ndaj mallrave serbe dhe e zëvendësoi me masë reciprociteti. Por kjo i kushtoi me rrëzim nga froni. E dy ditë para zgjedhjeve të 14 shkurtit Kurti dha zotimin se sapo të rikthehet në pushtet menjëherë do ta vendosë reciprocitetin që e kishte hequr Qeveria Hoti.

“Reciprociteti është e drejtë që buron nga barazia dhe sovraniteti, pra të qenit i pavarur, në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga sjellja arbitrare apo shkelja e të drejtave dhe dinjitetit nga ana e shteteve tjera. Është obligim i Qeverisë dhe i kryeministrit Kurti që të mbrojë qytetarët e Republikës dhe interesat e shtetit të Kosovës. Andaj edhe do të ketë masa reciprociteti me secilin shtet, duke përfshirë edhe Serbinë, në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme, të cilat shkelin parimin e barazisë dhe marrëveshjet e nënshkruara”, pati deklaruar Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë, ditë më parë për KOHËN.