Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar urime nga homologët e saj nga Austria, Hungaria, Finlanda dhe Sllovenia.

Në urimet e tyre, krerët e këtyre shteteve kanë shfaqur gatishmërinë që të vazhdojnë bashkëpunimin me shtetin e Kosovës duke thelluar edhe më tej marrëdhëniet bilaterale.

Sipas njoftimit për media, presidenti austriak Alexander Van der Bellen, në mesazhin e tij ka uruar Osmanin duke i dëshiruar sukses në përmbushjen e detyrave. Ai, gjithashtu ka shfaqur shpresën për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet shteteve të rajonit.

Në urimin e tij, presidenti hungarez Janos Ader ka shfaqur shpresën për përfundimin e pandemisë Covid-19, si dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet të të dy shteteve. Ader, gjithashtu ka theksuar se Hungaria mbështet rrugën evropiane të Kosovës.

Ndërkaq presidenti i Finlandës, Sauli Niniisto, ndërkaq ka shprehur gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve miqësore me Kosovën në nivel bilateral, por edhe në forumet multilaterale.

“Ndërkaq Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor në telegramin e urimit ka theksuar se ky shtet do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për prosperitet dhe konsolidim të institucioneve demokratike, sundimit të rendit dhe ligjit. Kreu i Sllovenisë, gjithashtu ka shfaqur shpresën për bashkëpunim në kuadër të Procesit Brdo-Brijun, i cili do të mbahet në këtë shtet”, thuhet në njoftim.

Mbërrin në mbi 2 mijë numri i të vdekurve nga COVID-19 në Kosovë