Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar Qeverinë Kurti për mungesë të programit qeverisës e për populizëm.
Në një konferencë për media, Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka thënë se Qeveria Kurti po dëshmon që “zhurmën e ka si tupan e punën kurrkah”.
“Jemi në përmbyllje të muajit të parë të Qeverisë Kurti dhe ende nuk kemi program qeverisës. Kjo është shqetësuese”, ka thënë Teuta Haxhiu nga kjo parti. “Kemi parë shfaqje populiste dhe të nepotizmit. Kemi parë një vendim të padrejtë më të cilin u mbyll gastronomia dhe u vendos ora policore”.
Haxhiu ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka vizion.
“Aleanca kërkon që të përcillen me vëmendje zhvillimet që lidhen me vendimet e kësaj qeverie. Në rrethana normale do të kishim mirëkuptimin që të mos kritikonim në tre muajt e parë. Qeveria të na informojë se kur do ta shohim ne dhe qytetarët programin qeverisës, Qeveria të përfshihet në diskutime publike me opozitën në media”, ka shtuar ajo.
Në anën tjetër, Tahiri ka thënë se “Qeveria ka ardhur me premtime të mëdha e punët nuk janë askund”.
Ai ka përmendur disa pika që, sipas tij, duhet të jenë pjesë e programit qeverisës.
“E para ka të bëjë me energjinë – nuk guxon të rritet çmimi i energjisë, në program duhet të përfshihet miratimi i Ligjit për paga që rregullon pagën edhe të mjekëve e policëve. E treta ka të bëjë me Policinë, pra sigurimin shëndetësor dhe pensionimin”, ka deklaruar ai.