Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka mbajtur sot takimin online lidhur me situatën e tashme pandemike nëpër komuna me virusin Covid-19, raporton Gazeta Express.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë të ditur se kryetarët e Komunave në këtë takim kanë diskutuar edhe për masat e tashme, zbatimin e tyre, efektin dhe për situatën pas datës 18 prill kur skadojnë këto masat e reja.
Takimin e ka hapur dhe kryesuar Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Imri Ahmeti i cili njoftoj Kryetarët e Komunave se ka munguar komunikimi i mirëfilltë para këtyre masave mes nivelit qendror dhe lokal.
Kryetari Ahmeti tha se qëllimi i këtij takimi është vlerësimi i Komunave për masat, efektet e tyre dhe hapat e ardhshëm në këtë drejtim.
Në këtë takim kanë diskutuar Ardian Gjini – Kryetar i Gjakovës, Xhafer Gashi – Kryetar i Obiliqit,Ramiz Lladrovci – Kryetar i Drenasit, Naim Ismajli – Kryetar i Shtimes, Xhafer Tahiri – Kryetar i Vushtrrisë, Bali Muharremaj – Kryetar i Suharekës, Zenun Elelzaj – Kryetar i Klinës, Arber Ismajli – nënkryetar i Gjilanit, Marigona Lahu – nënkryetare e Podujevës, Memnuna Ajdini – nënkryetare e Prizrenit etj.
Në fund Kryetarët e Komunave janë dakorduar për rekomandimet e pushtetit lokal ndaj pushtetit qendror lidhur me situatën pandemike dhe masat e reja në këtë drejtim dhe në anën tjetër respektimin e masave nga ana e qytetarëve.
Rekomandimet e Komunave:
- Qeveria të ketë prioritet vaksinimin e popullatës.
- Komunat kërkojnë dhe rekomandojnë heqjen e orës policore.
- Komunat rekomandojnë dhe kërkojnë që masat ndaj gastronomisë të tërhiqen dhe kërkojnë që gastronomia të zbatojë udhëzimet për distancën fizike edhe përmes tavolinave.
- Komunat kërkojnë që të amandamentohet Ligji mbi Pandeminë.
- Kërkohet nga Qeveria zbatimi i pakos së fundit të përkrahjes ekonomike dhe që të fillohet me një pako të re përkrahëse.
- Të ketë bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve në mes nivelit qendror dhe lokal në ruajtjen e shëndetit publik dhe ekonomik.
- Bashkëpunimi në mes inspektoratit qendror dhe atij lokal nuk është në nivelin e duhur. Ky bashkëpunim duhet të fuqizohet në zbatim të masave në mënyrë që të ruhet shëndeti publik.