Të martën Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përfaqësoi Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombëve të Bashkuar. Aty ndër të tjerash foli për krimet serbe në Kosovë, për kërkim faljen që duhet ta bëj Serbia e për tema të tjera.

Ndër to, Gërvalla përmendi edhe babain e saj, heroin Jusuf Gërvalla, për vrasjen e të cilit e akuzoi Beogradin.

E kur foli për zgjedhjet e fundit, ajo tha se për herë të parë në një vend të Ballkanit u votua për çlirim nga korrupsioni dhe krimi.

“Për herë të parë, në vendet e Ballkanit deri më tani, shumica e popullit votoi për t’u çliruar nga korrupsioni dhe krimi”, tha Gërvalla, shkruan Reporteri.net.

E këto deklarata u komentuan fortë nga opozita kosovarë, të cilët e akuzuan për paraqitje të dobët.

Madje nga Partia Demokratike e Kosovës, në një konferencë për media, thanë se paraqitje e djeshme ishte ditë turpi dhe se Gërvalla foli zi e terr para botës për Kosovën.

Por, ndryshe mendon ambasadori kosovar i karrierës, Avni Spahiu, i cili ka shërbyer si përfaqësues diplomatik i Kosovës në Ëashington e Ankara.

Në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri”, Spahiu e cilësoi si dinjitoze fjalimin e krye-diplomatës kosovare.

“Ishte një prezentim dinjitoz dhe përmbajtësor. Ritheksimi i krimeve të Serbisë në forumin më të lartë ndërkombëtar ka qenë një konstante e paraqitjeve të palës kosovare në KS të OKB-së dhe kështu duhet të jetë. Aq më tepër nga që Serbia vazhdon të mohojë krimet që ka bërë – një tjetër kundër njerëzisë”, tha Spahiu për Reporteri.net.

Tutje ish-ambasadori i Kosovës në Ëashington e Ankara tha se të flasësh për korrupsion nuk është sulm mbi vendin.

“Ministrja foli mbi një platformë që ka qenë moto e tyre në zgjedhje. Të thuhet se do të luftohet krimi e korrupsioni nuk është sulm mbi vendin. Nuk ka vend pa krim e korrupsion dhe nuk ka vend që nuk sfidohet dhe nuk i Lufton këto fenomene negative”, tha Spahiu për Reporteri.net.

Dje është mbajtur mbledhja e rregullt e KS të OKB-së ku u fol për situatën në Kosovë.

Gjatë mbledhjes pati një përplasje ndërmjet përfaqësuesit të Rusisë e atij të Britanisë, pasi diplomati rus kërkoi heqjen e flamurit të Kosovës që qëndronte në prapavijë të ministres Gërvalla.

Pas një pushimi të shkurtër, mbledhja vazhdoi pa u hequr flamuri i Kosovës.