Në një konferencë për media, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka folur për anulimin e tenderit për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale të Kosovës.
Ai ka thënë se tenderi është anuluar për shkak të kritereve teknike, në mënyrë që sa më shumë kompani të kenë mundësi të marrin punë.
“Ditën e djeshme si ministri kemi marrë dy vendime. E para ka të bëjë me anulimin e vendimit për tenderin e mirëmbajtjes verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021, 2022, 2023 dhe 2024. Janë dy arsyeje qe ne e kemi anuluar. Ne jemi të interesuar që të bëjmë ndryshime në pozicionet para masës. Dhe të kemi rrugë më të sigurta. E dyta ka të bëjë me kritere teknike që të kenë mundësi që më shumë kompani të marrin punë, e jo si ka ndodhur më parë që kompanitë e kanë ditur se janë të përzgjedhur”, tha ai.
Përveç kësaj, Durmishi ka shtuar gjithashtu është anuluar edhe vendimi që parashihte privatizimin e shërbimit të patentë shoferëve.
Me këto vendime sipas Durmishit po parandalojnë keqpërdorimet. Për më tepër ai tha se janë duke u shqyrtuar edhe vendimet tjera.
“Ka vendime që janë nënshkruar edhe ditën kur është votuar qeveria e re, por nuk shkruan ora që të dihet a para a pas votimit”, ka thënë ai.
Sipas tij, ka shumë vendime e memorandume që kanë ndodhur vetëm në vitin 2021 të cilat priten që ditëve ne vijim të shfuqizimin.