Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.
Gërvalla ka falënderuar ambasadorin austriak për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që Austria i ka ofruar Kosovës, duke e ndihmuar në zhvillimin e shumë sektorëve.
Siç ka njoftuar Ministria e Jashtme, palët diskutuan për marrëveshjet bilaterale dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror.
Ambasadori Weidinger ka theksuar përkushtimin e shtetit të tij për të përkrahur Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së. U diskutua edhe çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjithashtu u bisedua edhe për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19, rolin e veçantë që ka luajtur Austria në sigurimin e vaksinave për Kosovën si dhe për angazhimin e Qeverisë së Kosovës në këtë drejtim.