Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), ka reaguar pas ndalimit dhe suspendimit nga puna të pulmolgut të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Ibrahim Hoti, raporton Llapi.info.
Në një komunikatë për medie, OMK e ka vlerësuar si të padrejtë arrestimin dhe suspendimin nga puna të mjekut Ibrahim Hoti. Me këtë rast, OMK ka bërë thirrje që Hoti të lirohet menjëherë nga paraburgimi.
“Oda e Mjekëve të Kosovës e ka ndjekur me shqetësim ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Qendrën e Mjekësisë Familjare në qytetin e Podujevës. Me këtë rast, OMK vlerëson se anëtarit të saj Dr. Ibrahim Hotit i është bërë padrejtësi duke e suspenduar nga vendi i punës dhe duke e arrestuar pa ju dhënë mundësia e sqarimit dhe pa u zhvilluar hetime paraprake dhe të nevojshme dhe vërtetuar se a janë respektuar protokolet mjekësore gjatë trajtimit të pacientit në fjalë. Ky veprim i padrejtë i institucioneve të sundimit të ligjit ka bërë që me qindra pacientë të mbesin në kohë pandemie pa marrë shërbime dhe trajtim specifik në këtë kohë pandemie. OMK i bënë thirrje autoriteteve të hetuesisë dhe nivelit komunal të Komunës së Podujevës që para se të ndërmarrin veprime spektakolare duke arrestuar një mjek pa respektuar procedurat verifikuese mbi respektimin e protokoleve mjekësore, të bëjë lirimin e menjëhershëm të Dr. Hotit deri në verifikimin e rastit, përndryshe neve si përfaqësues të komunitetit të mjekëve, edhe në kushte pandemie, do të detyrohemi për ndërmarrjen e masave sipas legjislacionit në fuqi. OMK qëndron fort prapa zbatimit të ligjeve dhe kodit të deontologjisë mjekësore por edhe në ngritjen e zërit dhe ndërmarrjen e veprimeve në mbrojtjen e komunitetit në rast të ndërmarrjes së masave arbitrare dhe denigruese ndaj kolegëve tonë”, thuhet në reagim.
Ndryshe, pulmologu, Ibrahim Hoti është arrestuar të enjten mbrëma pasi ka refuzuar t’u japë ndihmë disa qytetarëve në QKMF-në e Podujevës./Llapi.info