Punëtorët shëndetësorë në Podujevë kanë protestuar sot para QKMF-së, objektit të Gjykatës Themelore të Prishtinës – dega në Podujevë dhe objektit të Komunës, kundër suspendimit dhe arrestimit të pulmologut Ibrahim Hoti, i cili kishte refuzuar t’u ofrojë shërbime pacientëve me arsyetimin se kishte kryer orarin e punës, raporton Llapi.info.
Ata kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të pulmologut Hoti dhe kthimin e tij në punë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë Komunë.
Sheqir Maliqi, kryetar i Sindikatës, ka kërkuar shkarkimin e drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Driton Veliu. Ky i fundit, të enjten e ka quajtur të papranueshme dhe aspak në përputhje me etikën profesionale sjelljen e mjekut.
Suspendimin e tij e ka bërë të ditur në një postim në Facebook, drejtori i Shëndetësisë në këtë Komunë, Driton Veliu, ndërkohë Hoti është ndaluar për 48 orë edhe nga Policia e Kosovës.
“Këshilli kanë vendosur që mjeku të suspendohet përkohësisht nga marrëdhënia e punës deri në një vendim të ri të Komisionit Disiplinor. Duke shprehur keqardhje për këtë rast, jam i sigurt se kjo nuk e zbeh dhe nuk do të ndikojë në punën dhe angazhimin e stafit shëndetësor të QKMF në Podujevë në këtë periudhë pandemie në ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, ka thënë Veliu.
Ndërkaq, ka reaguar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës e cila ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të mjekut Hoti deri në verifikimin e rastit. Përndryshe, OMK kërcënon se nëse nuk bëhet një gjë e tillë, do të ndërmerr masa sipas legjislacionit në fuqi.
OMK-ja vlerësoi se ndaj Hotit është bërë padrejtësi duke e suspenduar dhe duke e arrestuar, pa ju dhënë mundësia e sqarimit dhe pa zhvilluar hetime paraprake.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar nga organet e rendit që ta lirojnë doktorin e arrestuar të enjten në Podujevë, pas një video incizimi të publikuar në rrjete sociale dhe në mediume.
Sipas një njoftimi për media, thuhet se është për të ardhur keq se si trajtohen mantelbardhët, të cilët siç thuhet në njoftim janë të lodhur nga puna e tyre.
“FSSHK-ja e indinjuar thellë pas arrestimit të mjekut të respektuar nga Podujeva Dr. Ibrahim Hoti kërkon nga organet e rendit që ta lirojnë të njëjtin nga ndalimi prej 48 orësh pas një video incizimi të publikuar në mediume. Është për të ardhur keq se si trajtohen në mënyrë më të keqe të mundshme mantelbardhët, të cilët tashmë janë të stërlodhur”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, tutje sipas njoftimit FSSHK-ja kërkon lirimin e menjëhershëm dhe ndjekjen e procedurave për zbardhjen e ngjarjes.
“Po ju rikujtojmë se Dr. Ibrahim Hoti nuk është kriminel dhe nuk paraqet rrezik për shoqërinë, përkundrazi gjatë gjithë kohës së pandemisë COVID-19 ka shërbyer në mënyrë të ndershme dhe me profesionalizëm, për aq sa ka pasur mundësi. FSSHK është në përkrahje të plotë të punëtorëve shëndetësor në QKMF-Podujevë dhe veprimeve të tyre sindikale, por kërkon që edhe ata të cilët kanë marr vendime të tilla të japin arsyet e tyre”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Hoti është arrestuar të enjten mbrëma pasi ka refuzuar t’u japë ndihmë disa qytetarëve në QKMF-në e Podujevës./Llapi.info