Drejtori i “Insajderit” Parim Olluri ka thënë se presioni publik ka bërë që pushteti të tërhiqet nga aksioni i sotëm për frikësim të gazetarëve të “Insajderit”. Reagimi i Ollurit ka ardhur pas kërkesës së policisë që bashkë me avokatin të paraqiten për intervistë në Polici.

“Shpetuam! Presioni publik detyroj pushtetin qe te terhiqet per momentin nga aksioni i sotshem per frikesimin e Insajderit. Ju falemnderit te gjitheve per reagimet. “Era shtet” i vijke sot paradite. Reagim ne shpejtesi te drites. Me sabah prokurori i ka derguar policet e krimeve te renda ne zyre te Insajderit.

Olluri ka shkruar se ministri Vitia mbrëmë bëri thirrje për ndëshkim të “Insajderit” dhe shteti u mobilizuar në mëngjes për t’i frikësuar.

“Por, prioritet qenka thirrja e nje ministri e bere naten e se premtes. Ai kerkoj mbreme ndeshkimin e Insajdefit, shteti u mobilizua me sabah per te na frikesuar. Ju bejme me dije qe Insajderi nuk frikesohet nga asnje pushtet. Jane munduar mjaftueshem edhe pushtetet e kaluara qe te na frikesojne. Nuk ia kane arritur qellimit. Puna vazhdon. Hulumtime tjera pritet te publikohen. Edhe me te ndjeshme. Ne e kryejme punen tone”, ka shkruar ai.

Olluri sot përmes një shkrimi në profilin e tij, kishte treguar se dy zyrtarë policor kishin shkuar në zyrat e Insajderit dhe se e kishin ftuar për intervistim në Polici.

Kjo ftesë për Ollurin kishte ardhur edhe përkundër faktit që Prokuroria në një sqarim zyrtar kishte thënë se nuk do të jenë pjesë e hetimit gazetarët e mediat, por zyrtarët.