Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka takuar deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se takimi kishte për qëllim shqyrtimin e ofertës dhe kontakteve me akterët që mund të ndihmojnë në sigurimin e vaksinës Pfizer, të cilat kontakte sipas tij ia ka dërguar ministrit me email para dy ditësh.
“Ministrit Vitia, sekretarit Bardiqi dhe ekipit të MSH zyrtarisht ua ofrova komunikimin dhe kontaktet që i kam patur me Kompaninë e cila po na e ofron mundësinë e sigurimit të 500 mijë deri në 3 milionë vaksina Pfizer”, ka thënë Haxhiu.
Deputeti i PDK-së, tha se Vitia dhe sekretari Bardiqi u zotuan se Komiteti i MSH për sigurim të vaksinave, do të kontaktojë Kompaninë e cila mund të na i sigurojë një numër të jashtëzakonshëm të dozave me vaksinën Pfizer.
“Ministri Arben Vitia më falenderoi për gadishmërinë time që t’i ndihmoj në këtë proces, sepse sigurimi sa me i shpejtë i vaksinave është shpëtim jete. Tani i takon Ministrisë së Shëndetësi që të punojë me seriozitet, përgjegjësi dhe përkushtim në procedurat e mëtutjeshme për sigurim të vaksinave anti COVID-19”, u shpreh Haxhiu.
Tutje theksoi se pavarësisht se PDK është në opozitë në këtë situatë të gjithë së bashku duhet të punojnë për të mirën e shëndetit të qytetarëve.
“Virusi po vret çdo ditë qytetarët e Kosovës pa dallim partie politike dhe partitë pa dallime politike duhet të punojnë për të mposhtur pandeminë. Sigurisht se përgjegjësinë kryesore e ka subjekti politik që është në Qeveri”, tha më tej.
“Për më shumë se një vit pandemi të gjithë kemi humbur njerëz të dashur si pasojë e virusit COVID-19, prandaj vaksina është shpëtim jete”, shkroi Haxhiu në Facebook./