Deputeti i PDK-së në Kosovë, Bekim Haxhiu tha se në takimin që zhvilloi me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia foli për sigurimin e vaksinave Pfizer-Biontech.

“Ishte një takim pasi Kosova ende nuk ka arritur të sigurojë një kontratë për vaksinat. Ajo çka deri më sot kemi marrë janë 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, të marra përmes mekanizmit COVAX, pra një donacion për republikën e Kosovës”, u shpreh Haxhiu.

“Qeveria e Kosovës, as kjo e tanishmja, as ajo e kaluara nuk kanë arritur të sigurojnë një kontratë për vaksinat”, u shpreh ai më tej.

Haxhiu tregoi edhe sesi mundi të lidhte një kontakt me kompaninë Pfizer-Biontech përmes mjekëve dhe biznesmenëve shqiptarë nëpër botë.

Ai u shpreh se ka krijuar një urë lidhëse për të siguruar 500 mijë deri në 3 milionë vaksina Pfizer.

“Kam kontaktuar shoqatat e mjekëve shqiptarë ne Europë dhe diasporë dhe njerëz më ndikim, biznesmenë të suksesshëm dhe përmes tyre kemi arritur që të sigurojmë mundësi për të siguruar 500 mijë deri në 3 milionë doza të vaksinash Pfizer. Këto kontakte ia kam ofruar edhe ministrisë së Shëndetësisë që të vazhdojë më tutje për kontratën përfundimtare”, tha ai.

Sipas tij, brenda 3 ditësh ministra duhet të kontaktojë më kompaninë që të vijojë me bisedimet dhe për realizimin e një kontrate.