Komuna e Podujevës ka shpenzuar rreth pesë mijë euro për rrobat e 17 inspektorëve komunalë, raporton Llapi.info.

Drejtoria e Inspektoratit në këtë Komunë ka blerë 17 veshje elegante në vlerë prej 4355 euro nga ndërmarrja “Sankos” nga Kaçaniku.

Një pallto e gjatë, sipas kësaj kontrate, është 100 euro, ndërkohë që janë blerë 17 sosh, 13 për meshkuj e 4 për femra, të madhësive të ndryshme.

Mirëpo, ky proces për t’u dukur të dallueshëm këta inspektorë ishte nisur nga ish-pushteti i LDK-së që qeveriste me Komunën e Podujevës. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia.

“Siç mund të jeni të informuar, ne kemi trashëguar planifikimin për buxhetin komunal për vitin 2021. Administrata komunale e kaluar ka paraparë që të blihen këto rroba për inspektorët që i bëjnë të dallueshëm nga zyrtarët tjerë. Kompania kontraktuese është “Sankos”, kostoja totale e këtij tenderi është 4.355 euro dhe kostoja për palltot e gjata është 100 euro, që përkon me çmimin real të tregut për materialin dhe cilësinë e këtyre rrobave”, është shprehur Zhitia.

Sipas kësaj kontrate, Komuna ka zbatuar procedurat e prokurimit me vetëm një kompani për blerjen e këtyre produkteve.

Janë blerë 17 palë komplete setër e pantallona me përbërja “cotton” 80% dhe 20% “polister”, çmimi për një komplet ka qenë 70 euro.

Në kontratë thuhet se janë blerë nga dy këmishë për një zyrtarë, ne ngjyrë e kaltër dhe një e bardhë, çmimi për një oshë ka qenë 15 euro. 14 palë këpucë elegante të zeza për meshkuj kanë kushtuar 650 euro, ose 50 euro një palë, po ashtu nga 50 euro janë blerë këpucët elegante me taka për femra.

Kurse, “pallto e gjatë (Mantilla) Clasike. Përbërja 80 për qind “cotton”, 20 për qind “polister”, gjatësia deri në gjunjë, ngjyrë teget ose e zezë”, thuhet në përshkrimin për blerjen e këtij produkti./Llapi.info