Komisioni për Ekonomi, Tregti dhe Industri është duke e shqyrtuar planin e punës që do ta ketë gjatë këtij mandati.

Në Komision u shtrua edhe çështja e energjisë elektrike në Komunat me Shumicë Serbe.

Deputetja Mimoza Kusari tha se është për hetim çështja se si në veri konsumi i energjisë elektrike për këtë vit është rritur për 20 për qind përderisa nuk është regjistruar rritje e popullsisë. Ajo ngriti dyshime për konsum ilegal të energjisë e cila paguhet nga Qeveria e Kosovës.

Edhe deputeti Armend Muja tha se është e palogjikshme që shteti të vazhdojë t’ua paguajë faturat komunave veriore.

“Deri në vitin 2017 faturat e shpenzimit të energjisë i ka paguar konsumatori kosovar nga 2017 i paguan Qeveria. Ne jemi duke e subvencionu energjinë atje. Ne me vendime tona ju kemi dhënë të drejtë atyre domethënë konsumoni sa të doni se ne ua paguajmë rrymën. Unë jam kundër, kjo praktikë duhet të ndalohet është kundër logjikës qeveritare”, ka thënë ai.

Kësisoj, KOSTT-i ka kërkuar nga Komisioni ndarjen e 11 milionë eurove të tjera për ta, kërkesë për të cilën deputetët anëtarë të Komisionit nuk u pajtuan.

“Nëse e shihni në kërkesë të dhjetorit të vitit të kaluar, KOSTT-i kanë kërkuar 15 milionë euro. Qeveria e Avdullah Hotit u ka dhënë 10 milionë euro. Tash ata po kërkojnë edhe 11 milionë të tjera. Këta janë duke bërë hajgare”, ka thënë Armend Muja