Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në mesin e muajit dhjetor të vitit 2020 pati prezantuar kabinetin e ri të udhëheqjes në këtë Komunë, pas fitores së VV-së në zgjedhjet e 29 nëntorit, shkruan Llapi.info.
Bulliqi, kabinetin e tij të ri qeverisës e pati prezantuar në një konferencë për medie, ku edhe bëri publikë emrat e dikastereve të drejtorive. Në këtë konferencë, i pari i Podujevës është shprehur se gjatë qeverisjes së tij do të ketë transparencë e llogaridhënie.
Por, punët e planifikuara nga Bulliqi nuk shkuan siç duhet. Në vetëm pak muaj, dy drejtorë të emëruar kanë kërkuar lirimin nga detyra. Fillimisht drejtoresha e Shëndetësisë, Egzona Mustafa, në fund të muajit janar kërkoi lirimin nga kjo detyrë nga kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Asokohe, në një përgjigje për Llapi.info, zëdhënësi i kësaj Komune, Fatri Zhitia, ishte shprehur se Mustafa pati kërkuar lirimin nga detyra, pasi që siç ishte shprehur ai, Mustafa do të niste specializimin.
Lirohet nga detyra drejtoresha e Shëndetësisë në Podujevë
“Mustafa është liruar nga detyra pas kërkesës së saj, pasi nga 1 shkurti fillon aftësimin profesional – specializimin”, ishte shprehur Zhitia.
Në këtë dikaster, pas lirimit nga detyra të Mustafës, në krye të drejtorisë së Shëndetësisë u emërua Driton Veliu, i cili me profesion është stomatolog.
E, së fundi lirim nga detyra nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit ka kërkuar edhe ish-kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, Ajet Potera.
Në një reagim në faqen zyrtare të Komunës së Podujevës është bërë e ditur se Potera, siç citohet në këtë reagim, është liruar për shkak të angazhimeve të tjera. Në krye të Drejtorisë së Inspektoratit, i pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka emëruar gjatë dtiës së djeshme Bedri Maqastenën.
“Emërimi i Maqastenës është bërë pas kërkesës së drejtorit të deritashëm, Ajet Potera për t’u liruar nga detyra për shkak të angazhimeve të tjera, i cili sot është liruar nga kjo detyrë. Kryetari Bulliqi ka falënderuar Ajet Poterën për kontributin e tij në dikasterin e Inspeksionit për këta 4 muaj, kurse Bedri Maqastenës i ka uruar suksese në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të tij”, thuhet në njoftim.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila qeverisë aktualisht me Komunën e Podujevës, doli fituese në zgjedhjet 29 nëntorit me kandidatin e saj Shpejtim Bulliqi. Ky i fundit emëroi kabinetin e tij qeverisë pak javë pasi doli fitues./Llapi.info
Bedri Maqastena emërohet drejtor i Inspeksionit në Podujevë