Përqindje e lartë e qytetarëve llapjanë dyshohet se janë të infektuar me variantin britanik të koronavirusit, raporton Llapi.info.

Këtë e ka konfirmuar për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama.

“Në bazë të simptomave dyshohet se një përqindje e lartë janë infektuar me virusin britanik, por që nuk kemi numër të saktë. Varianti britanik shpërndahet më shpejt dhe i prek moshat mesatare dhe të reja”, është shprehur Rama.

“Ethe, temperaturë, humbja e shqisave të nuhatjes, humbje oreksi, kokëdhimbje, dhimbje e muskujve, humbje oreksi si dhe keqësohet gjendja shëndetësore dhe pengesa në frymëmarrje”, janë simptomat e këtij varianti, sipas epidemiologes së vetme në Podujevë, Bedrie Rama.

Varianti i ri i virusit është krijuar si rezultat i ndryshimeve të mutacioneve që pësojnë viruset. Sipas ekspertëve, varianti i ri është më ngjitës sesa varianti fillestar i koronavirusit, që u shfaq për herë të parë në fund të 2019-ës në Wuhan të Kinës.

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka bërë të ditur sot edhe për pesë raste të reja me koronavirus, të gjitha këto janë nga qyteti.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 4 mijë. Deri tash janë raportuar 60 viktima, kurse mbi 3.800 pacientë janë shpallur të shëruar. Aktualisht janë edhe rreth 300 raste aktive me COVID-19./Llapi.info