Sot ka përfunduar afati i thirrjes publike për një gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi i Kosovës ka publikuar listën e plotë të kandidatëve që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë Gjykatës Kushtetuese.
Në listën e publikuar janë gjithsej 11 kandidatë që synojnë të bëhen Gjyqtar të Kushtetueses.
“Deri më sot në orën 16:00, kanë aplikuar 11 kandidatë: Vigan Qorrolli, Hava Bujupaj-Ismajli, Shukri Sylejmani, Gjylbehare Murati, Hashim Çollaku, Hilmi Jashari, Valbona Shala-Thaqi, Visar Morina, Haxhi Xhemajli, Zef Prenrecaj dhe Ramadan Gashi”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Kuvendi.
Në mesin e personave që synojnë të jenë Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese bëjnë pjesë edhe Hilmi Jashari, i cili ishte Avokat i Popullit deri më 29 shtator të vitit të kaluar, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.
Po ashtu, për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese ka kandiduar edhe Zef Prenrecaj, i cili ishte drejtor në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, aktualisht Prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Tutje, Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se përkundër që sot është mbyllur afati për dorëzimin e CV-ve të kandidatëve për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, procesi është duke pritur edhe nominime të tjera eventuale nëpërmjet postës.
“Proceduara e përzgjedhjes së gjyqtarve do të vazhdojë konform Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.