Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, të enjten do të qëndrojë në Kosovë, në një vizitë zyrtare të paparalajmëruar më parë. Raportimi i mbrëmshëm i Gazetës Online ‘Reporteri.net’ është konfirmuar zyrtarisht sot nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka mësuar agjendën e kësaj vizite të kryediplomatit gjerman në Prishtinë.

Maas pritet të arrijë në ora 14:30 në Prishtinë, ku në aeroportin e Prishtinës do të pritet nga homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz.

Vizitën zyrtare, Ministri i Jashtëm e Gjermanisë e nis me takimin e orës 15:00, ku do të pritet në Presidencë e Kosovës nga Presidentja Vjosa Osmani, shkruan Reporteri.net.

Pas, këtij takimi në agjendë parashihet që Maas dhe Osmani të dalin në një konferencë të përbashkët për media.

Pastaj, në ora 16:30, kryediplomati gjerman i shkon në zyrë shefit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.

Një orë më pas, në 17:30, Ministri gjerman do të zhvillojë edhe një takim zyrtar me homologen e tij kosovare, Kryediplomaten Donika Gërvalla.

Agjenda e vizitës së nesërme të Ministrit të Jashtën gjerman e siguruar nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’ nuk parasheh ndonjë takim të Kryediplomatit të Angela Merkel me ndonjë nga partitë opozitare në vend.

Po ashtu, në agjendë nuk parashihet as ndonjë takim i Ministrit gjerman me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Për vizitën e Heiko Mass në Kosovë, Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka raportuar të martën mbrëmë. Një ditë pas, vizita është konfirmuar të mërkurën nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

“Pikërëndesat tematike të vizitës do të jenë çështjet e marrëdhënieve bilaterale, përafrimi me BE-në, si dhe dialogu për normalizim në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.

Me të përfunduar vizitën në Prishtinë, Kryediplomati i Gjermanisë do të udhëtojë për në vizitë zyrtare në Beograd.