Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari, do që ta udhëheqë Skenderajn edhe për një mandat. Sami Lushtaku, i cili nuk i ka punët mirë me Jasharin, thotë se do të shihet në zgjedhje se kush do të dalë fitues.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka konfirmuar se do të garojë edhe për një mandat për kryetar të kësaj komune. Jashari ka theksuar se zgjedhja e tij, është në dorën e qytetarëve, teksa synon fitoren në bastionin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), shkruan Gazeta Express.

E nga ky subjekt politik, kundërkandidati i mundshëm i Jasharit mund të jetë kryetari i Degës së PDK-së, në Skenderaj, Sami Lushtaku.

Ai duke mos e zgjatur shumë komentimin për kandidimin e Jasharit, tha për Express, se secili ka të drejtë që të kandidojë për kryetar.

Për sa i përket fituesit të zgjedhjeve në këtë komunë ai tha se do të shihet në zgjedhjet që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.

“Është e drejtë e secilit me kandidu. Se kush i fiton zgjedhjet me siguri këtë do ta shohim gjatë zgjedhjeve dhe gjatë votimit”, ka deklaruar ai.

Më tutje Lushtaku ka thënë se PDK-ja ende nuk ka vendim se kush do të jetë kandidat për këtë komunë nga kjo parti.

“Nuk e di nëse do të jem. Besoj që Partia Demokratike e Kosovës dhe kryesia e saj do të merr vendim dhe këtë vendim besoj që do të fillojë nga maji. Atëherë do të shohim edhe kandidatët në komuna”, ka thënë ai për Express.

Kujtojmë që në zgjedhjet e 2017-ës, asokohe krytari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ishte tërhequr nga gara për t’ia dhënë mundësinë Bekim Jasharit që të zgjidhet kryetar komune.

Dega e PDK-së në krye me Lushtakun kishin vendosur që të mos e kandidojnë askënd dhe t’i japin mbështetje djalit të heroit të kombit, Hamëz Jashari.

Lushtaku pati thënë se nuk do të kandidojë për kryetar, derisa shtoi se do jetë nder për qytetin e Skenderajt që të udhëhiqet nga një anëtar i familjes Jashari.

Por gjatë këtyre katër viteve marrdhëniet mes tyre nuk ishin edhe aq të mira.

Ishte Bekim Jashari, ai i cili gjatë 2020-së pati lëshuar akuza të rënda ndaj Sami Lushtakut, duke thënë se ky i fundit ka qenë larg vatrave të nxehta të luftës, ka blerë vilë në vitin 1998 dhe se falë mbështetjes së familjes Jashari është bërë komandant i UÇK-së. Këtyre deklaratave iu është përgjigjur Lushtaku.

Në një prononcim për Gazetën Express, Lushtaku pati deklaruar se ai ka qenë edhe para luftës edhe gjatë luftës në Kosovë dhe se këtë më së miri e dinë qytetarët që i kanë parë çdo ditë.

Sipas Lushtakut, Bekim Jashari po e keqpërdor emrin e familjes Jashari me deklarata të tilla dhe se po bën gabim të madh.

“Paj deklarata sikur të tjera të Bekimit. Unë mendoj që Bekimi duhet me u marrë me mu për faktin se si kryetar i komunës ka dështu komplet dhe tash për me u ba pak ma interesant merret me mu. Unë kam qenë edhe para luftës edhe gjatë luftës në Kosovë dhe këtë më së miri e dinë bashkëqytetarët e mi dhe qytetarët që na kanë parë për çdo ditë. Nuk du për shkak të familjes me dhanë naj koment, sepse ai është duke e keqpërdorur kurorën e familjes Jashari, që mendoj që po bën gabim të madh”, pati thënë Lushtaku.