Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arrestimit të një zyrtari policor në Gjilan, i dyshuar për sulm seksual ndaj një të miture.
Haxhiu ka thënë se nëse këto dyshime vërtetohen, ai duhet jo vetëm të largohet nga policia, por edhe të marrë dënimin e merituar.
“Zyrtari i Policisë është mbrojtës i të cenuarve dhe jo akter i krimit e dhunimit. Ai do të duhej të ishte referencë për sjelljet e secilit qytetar dhe jo vet i përfshirë në dhunime siç ka dyshime për dhunimin e një vajze të mitur nga zyrtari policor. Organet kompetente menjëherë duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe nëse këto dyshime vërtetohen, persona të tillë jo vetëm të largohen nga uniforma, por të marrin edhe dënimin e merituar”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.
E para e Drejtësisë ka thënë se Republika e Kosovës duhet të jetë vend i respektimit të lirive dhe drejtave të njeriut ku krimi e dhunimi nuk do të gjejnë vend, ku këto fenomene negative jo vetëm të ndëshkohen por as edhe të stimulohen.
“Askush nën petkun e zyrtarit nuk guxon të ndihet autonom karshi ligjit. Abuzuesit e dhunuesit nuk kanë vend në shoqërinë tonë, aq më pak në institucione”, ka përfunduar ajo.