Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur se për seancën për zgjedhjen e Presidentes Vjosa Osmani janë kontaktuar edhe deputetë të AAK-së, por edhe të partive të tjera nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Praktikat me joshje nuk i kontribuojnë demokracisë, aq më tepër kur këta janë thirrur se do të distancohen nga praktikat e mëhershme. Tash e kanë bërë të njëjtën, kanë kontaktuar me sms, kanë shkuar derë më derë… Kam parë edhe video të njerëzve të Vetëvendosjes që janë munduar të korruptojnë vota të deputetëve”, ka thënë Haradinaj, njofton Klan Kosova.

Lidhur me këtë, ai në Rubikon ka përmendur Sali Zybën e Vetëvendosjes që edhe më herët është thënë se ka kontaktuar me deputetë që të merrnin pjesë në seancë.

“Zyba e ka pranuar që ka pasë takime dhe kjo është histori. Nëse ka shpifur kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, është e drejta ligjore për paditje për shpifje. Kjo histori është e përfunduar. Ai nuk mund të bëjë padi se e di saktësisht me kë ka folur, në cilën komunë afër Prizrenit ka biseduar”.

Lidhur me vendimin e deputetes së AAK-së, Albena Reshitaj, për të marrë pjesë në votim, Haradinaj ka deklaruar se ka qenë vendim i gabuar.

“Jam munduar që ta bind se e ka gabim. Jam munduar me argumentet e mia se nuk është fundi i botës nëse vendin e çon në zgjedhje shumica. Kemi ofertuar me kandidatin tonë për president. Nuk ka pasë mirëkuptim”.

“Nuk ka vendim të strukturave të partisë për vendimin e saj. Këshilli Drejtues është ai që vendos. Këshilli Drejtues i AAK-së nuk është mbledh për shkak të pandemisë. Ajo është deputete e Kuvendit. Derisa nuk ka një masë të re ajo është në AAK. Ka qenë gabim i Reshitajt vota e ndarë nga grupi”.