Policia dhe inspektorët sanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë kontrolluar të mërkurën lokalet në Prishtinë, Mitrovicë dhe Vushtrri, për respektim të masave anti-Covid.
Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, i cili ka deklaruar se lokalet e gastronomisë në këto dy qytete kanë organizuar edhe iftar duke mos respektuar masat anti-Covid.
“Në aksionin e mbrëmshëm të AUV-së dhe Policisë për mbikëqyrje të zbatimit të masave anti Covid zhvilluar në Mitrovicë dhe Vushtrri janë gjobitur 21 lokale dhe janë mbyllur 2. Lokalet e gastronomisë të cilat kanë organizuar iftare duke mos respektuar vendimin e Qeverisë 01/07, ku parashihet qe numri maksimal i personave brenda një lokali të jetë ne proporcion me hapësirën për metër katrorë. Secila tavolinë nuk duhet të tejkaloj numrin mbi 4 persona dhe distanca e ulëseve mes tavolinave të ndryshme të jetë se paku një metër”, ka deklaruar Thaçi.
Thaçi tha se janë shpërndarë edhe vërejtje ndaj lokaleve që në rast se nuk i zbatojnë vendimet në fuqi, do të mbyllen.
“Në secilin rast qe nuk janë zbatuar pikat e vendimit inspektorati ka shqiptuar gjoba dhe po ashtu të njëjtave u ka lënë procese me vërejtje qe nëse nuk zbatohen vendimet në fuqi, hapi tjetër do të jetë mbyllja. Gjatë secilit aktivitet duke përfshi edhe ritin fetar të mbajtjes së iftarit, duhet respektuar masat qe të mos rrezikohet jeta apo shëndeti i qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Ai tha se janë gjobitur dhe mbyllur lokalet të cilat nuk e kanë respektuar orarin.
Po ashtu, në një lokal të paregjistruar, janë kapur qytetarë duke luajtur domino, të cilët janë gjobitur.