Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria Kurti që të anulohet vendimi për shtesat të cilat u janë hequr pensionistëve.
Nënkryetari i AAK-së, Blerim Kuqi, ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të anulohet sa më parë ky vendim.
Ai ka thënë se në bazë të premtimeve për mirëqenie sociale ka ardhur në pushtet, por ka rrezikuar kategorinë më të ndjeshme të shoqërisë.
“Po ashtu kemi vendosur që së paku në 100 ditë kjo qeveri të jetë më e kursyer nga kundërshtimet që kanë mundur të jenë nga ana jonë. Por veprimet e tyre po na detyrojnë të veprojmë. Në këto kushte pandemie, pensionistët edhe po të duan të protestojnë e kanë të pamundur. Ajo që ka ndodhur është e pamëshirshme. Janë vaksinat, kategoria e shëndetësisë, policët e shumë kategori të tjera që duhet shteti të merret me to. Menjëherë duhet të anulohet vendimi”, ka thënë ai.
Ndërkaq Shemsedin Dreshaj ka thënë se Kosova është në pikun e pandemisë dhe ka shumë paqartësi me vaksinat.
Sipas tij, vendi është në një situatë ku kontratat që është dashur të nënshkruhen për vaksina janë refuzuar me shumë paqartësi. Ai ka thënë se paqen sociale duan ta sigurojnë me sanksionim të mediave.
“Duke parë situatën e vaksinimit në rajon, na bënë skeptik për menaxhimin e situatës në vend. Na nevojitet shumëçka për funksionalizim”, ka thënë ai.
Ndërkaq shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se me vendimin e Qeverisë preket kategoria më e cenuar e shoqërisë, ajo për shtesat e pensionistëve.
“Anulimi i vendimit duhet të bëhet sot. Sa i përket vaksinave, po u themi që t’i blini vaksinat neve na keni mbrapa. Po ju themi mos i ikni përgjegjësisë sepse për këtë e keni marrë mandatin”, ka thënë ai.